Ka mbaruar mbledhja e grupit parlamentar në PD, në fund të së cilës Enkelejd Alibeaj u shpreh se prania e Berishës, është një pushtim, dhe nuk shërben për bashkimin.
Alibeaj tha se tërheqja e Berishës, edhe pse nuk e cilësoi si një kusht, është domosdoshmëri sipas tij për ta bërë Partisë Demokratike një forcë fituese.
Të njëjtat qëndrime Alibeaj i mbajti edhe përballë Berishës në mbledhje, të cilit i tha se nuk mund të merrte pjesë i paftuar, për shkak se në Kuvend ish-kryeministri figuron si një deputet i pavarur.
Enkelejd Alibeaj pas mbledhjes së grupit:
Qëndrimi është i qartë për këdo, është një atmosferë pushtimi, ajo që është kërkuar nga unë, është që të gjejmë spiralen e bashkimit.
Palët do të duhet të qetësojnë shpirtrat e tyre, në këto 6-7 muaj është zhvilluar një gjuhë e dhunshme, sinjalet nuk mund të jepen duke pushtuar selinë, duke ardhur në mënyrë të dhunshme në mbledhjen e grupit parlamentar.
Ka një vendim të parlamentit, i cili ka konstituar grupin parlamentar të PD. Për të gjetur gjuhën e përbashkët, duhet bërë disa akte, ndërprerja e gjuhës lincuese, proceset paralele nuk japin sinjale të bashkimit, kjo është kërkesa jonë e vazhdueshme, që demokratët në bazë të bashkohen.
Çfarë është tjetër e rëndësishme, që të jemi fitues, ka një gjë që është e rëndësishme, ashtu si Basha dha dorëheqjen, si simetri duhet të japë dorëheqjen edhe pala tjetër. Ja kemi detyrim njerëzve që ta kërkojmë këtë.