Mbrëmjen e djshme në autostradën Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, nuk ka pasur asnjë makinë kundravajtje. Kështu shprehet zyrtarisht Policia e Shtetit për aksidentin ku u përfshi dhe një nga makinat që shoqëronte eskortën e Sali Berishës.
Ndryshe nga ajo që tha truproja i ish-kryeministrit, Evis Tusha, se një Benz i bardhë me targa të Kosovës ishte futur kundravajtje në autostradë dhe ishte përplasur me ta, Policia thotë se asnjë mjet nuk ka qenë në krahun e kundërt.
Nga “Rrugorja” është proceduar penalisht vetëm një 24 vjeçar nga Kosova pasi ka qenë duke udhëtuar në korsinë e shpejtësisë, pas dy makinave të tjera që ndodheshin po në këtë korsi. Një prej tyre ishte dhe makina e fundit që shoqëronte eskortën e Berishës.
Ard Mulliqi nga Kosova ka përplasur nga mbrapa makinën që kishte para tij, dhe kjo e fundit ka përplasur po nga mbrapa makinën ku udhëtonte truproja i Sali Berishës, shtetasi Ervis Tusha. Pra, ka qenë një aksident zinxhir dhe nuk ka pasur asnjë makinë kundravajtje.
Nuk dihet se për truproja ka deklaruar – në një dëshmi që është publikuar nga media pranë familjes Berisha – se një mjet i bardhë me targa të Kosovës u fut kundravajtje dhe u përplas me të. Sipas Tushës, tre mjetet e para të eskortës arritën ta shmangnin përplasjen, vetëm ai që ishte i fundit jo.
Reagimi zyrtar i Policisë së SHtetit – Lezhë
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin A.M., 24 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.
Ky shtetas, në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, duke drejtuar automjetin tip “Benz ” ka goditur mjetin tjetër tip “Benz ” me drejtues shtetasin S.L., 28 vjeç, banues në Tiranë dhe ky i fundit ka goditur mjetin shoqërues të deputetit S.B. Të 3 automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë.
Si pasojë e goditjes kanë marrë dëmtime të lehta drejtuesi i mjetit shtetasi A.M., dhe pasagjerët në këtë mjet E.S.,dhe A.M., banues në Kosovë, të cilët pasi kanë marrë mjekim në spital, janë larguar për në banesë.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor “.