“Ata dhanë firmën për floririn, por…”- Kryeministri Rama tregon historinë për bashkëjetesën fetare në Shqipëri: Nuk jemi vend mysliman

0
80
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjatë fjalës së tij në New York, kryeministri Edi Rama deklaroi se shpesh thuhet se Shqipëria është vend mysliman. Por ai theksoi se ai është një vend ku myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë me respekt të plotë për njëri-tjetrin.

“Ka një histori, mes shumë të tjerash, që dua ndaj me ju, për katër udhëheqësit fetarë të vendit tonë, që shpesh thuhet se është vend mysliman, por jo. Ne jemi një vend ku myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë me respekt të plotë për njëri-tjetrin. Këta katër udhëheqës, të cilët u thirrën në Berlin nga njeriu që ishte në krye të operacionit “Zgjidhja përfundimtare”, përfaqësonin katër bashkësitë fetare të Shqipërisë, të krishterët katolikë, të krishterët ortodoksë, myslimanët sunitë dhe bektashinjtë, myslimanët shqiptarë.

Atyre iu kërkua të nënshkruanin një marrëveshje me Rajhun e Tretë, që kishte dy pika: të lejonin regjimin nazist të merrte floririn shqiptar, që asokohe gjendej në bankën e Romës dhe të bashkëpunonin me regjimin nazist për të kapur hebrenjtë. Ata dhanë firmën për floririn, por nuk e dhanë për hebrenjtë”, tha Rama.

Ai u shpreh se shqiptarët e lanë vendin e tyre 30 vite më parë njësoj si afganët. Rama deklaroi se duke qenë para nevojës së afganëve për një strehë të sigurt, nuk mund të pyesnin për ngjyrën e lëkurës, fenë apo distancën.

“E kështu historia vazhdon, për të ardhur te ne, kur ishim refugjatët që linim vendin, duke marrë arratinë jo nga një regjim fetar fondamentalist si ai i talebanëve, por nga një regjim ateist, që pati kurajë ta shkruante në kushtetutën tonë se Republika e Shqipërisë është republikë ateiste, ku besimet fetare ishin tërësisht të ndaluara, ku jeta ishte një ferr dhe vendi, asokohe, ishte Koreja e Veriut e Europës.

Kështu, e lamë vendin, për të gjetur strehë diku tjetër, tridhjetë vjet më parë dhe kur Afganëve iu desh të linin vendin për të gjetur strehë e për t’i shpëtuar vdekjes, si mund të thoshim “jo”! Si mund të mos ua hapnim derën dhe si mund të pyesnim për ngjyrën e lëkurës, për fenë në cilën besonin apo sa afër a larg ishin nga Shqipëria?!” deklaroi Rama.

Zjarr Tv Ad