Atentati në Vlorë/ Shënjestër miku i vëllezërve Llanaj

0
148
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Detaje të reja nga atentati mafioz që ndodhi mbrëmë në qytetin e Vlorës, ku mbeti i plagosur rëndë 41-vjeçari Mikel Mehmeti. Ai po udhëtonte me makinën e tij tip “Audi” kur u qëllua nga tjetër makinë në ecje në rrugën “Gjergj Araniti”.

Nga breshëria e kallashnikovit, Mehmeti mori dy plumba ndërsa i plagosur dyshohet se ka mbetur dhe një tjetër person që ndodhej në makinë bashkë me 41-vjeçarin. Por, Policia nuk ka asnjë informacion për të plagosurin e dytë pas largimit nga vendi i ngjarjes, pasi ka marrë plagë të lehta.

Mehmeti u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi ka marrë plumb në kraharor dhe bark. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një lokali që ndodhet pranë vendin ku ndodhi atentati dhe pritet që nga analizimi i tyre të arrihet në gjurmët e dy autorëve.

ATENTATI

Ngjarja ka tronditur qytetin e Vlorës, pasi ka ndodhur në një zonë mjaft të populluar dhe në një orë ku lëvizjet ishin të shumta. Mësohet se atentatorët i kanë prerë rrugën makinës “Audi A3” me targa AA 653 VC ku udhëtonin dy shtetas, duke hapur zjarr.

Nga atentati mbeti i plagosur Mikel Mehmeti, që dyshohet se ka qenë dhe shënjestër e atentatit. Ai u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e plumbave.

Në vendin e ngjarjes, Policia ka gjetur shtatë gëzhoja arme, ku mendohet se është qëlluar me breshëri me armë automatike tip kallshnikov. “Rreth orës 17:40, në lagjen ‘Pavarësia’ dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti e për pasojë ka mbetur i plagosur një 41- vjeçar. Ai po merr ndihme mjekësore në spital. Në afërsi të stacionit të trenit, Policia ka gjetur duke u djegur një automjet, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët për fshehjen dhe largimin e tyre.

Shërbimet e Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen e autorëve. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje ku vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe identifikimin e autorëve”, bëhet e ditur nga Policia. Autorët pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes i kanë vënë flakën automjetit që përdorën.

Makina tip “Mitsubishi” u gjet e përfshirë nga flakët në afërsi të stacionit të trenit, vetëm 20 minuta pas ngjarjes së ndodhur në rrugën “Gjergj Araniti”, ose e njohur ndryshe si rruga e “Çipajve”, është gjetur i djegur një automjet “Mitsubishi”.

Pavarësisht krehjes së zonës nga forcat e shumta të Policisë, nuk u arrit të binin në gjurmët e autorëve. Autorët dyshohet se kanë braktisur automjetin, të cilit më pas i kanë vënë flakën në një zonë që nuk ka ndriçim si dhe mungojnë kamerat e sigurisë, në një rrugë të paasfaltuar dhe qorre. Nga verifikimet e para të Policisë, automjeti rezulton i vjedhur. Grupi hetimor shkoi në vendin ku u gjet automjeti për të hetuar nëse mund të gjendet ndonjë gjurmë e mundshme dhe për të konfirmuar se kujt i përket automjeti i djegur.

HETIMI

41-vjeçari Mikel Mehmeti cilësohet si person i afërt me grupin e vëllezërve Llanaj nga Selenica, të njohur për “masakrën e Çoles”. Por, vetë Mehmeti nuk është person i përfshirë në këtë ngjarje të ndodhur në qytetin bregdetar, ku mbetën të vrarë tre persona. Ndërkohë, sipas Policisë, Mikel Mehmeti nuk rezulton person me precedent penal brenda vendit. Por, nuk përjashtohet pista që 41-vjeçari të jetë përfshirë në aktivitet kriminal jashtë Shqipërisë, nga ku mund t’i kenë lindur konflikte me persona të tjerë./Panorama/

Zjarr Tv Ad