Vetëm një ditë pas ngjarjes së rëndë e cila tronditi Shkodrën, në qytetin verior kanë zbarkuar zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit dhe një prokuror i Krimeve të Rënda. Krimi i rëndë ku mbeti i vrarë Fatos Verracakut, 40 vjec, dhe u plagos Fatmir Mehaj ndodhi në lagjen ‘Rus’ në Shkodër.
Drejtori i Krimeve Niko Brahimi, nëndrejtori i përgjithshëm i Policisë dhe drejtor për rendin Gjovalin Loka, njëkohësisht ish drejtor në policinë vendore të Shkodrës dhe një prokuror i Krimeve të Rënda, mësohet të jenë nisur nga Tirana drejt Shkodrës.
Fillimisht po analizohet nëse ngjarja e një dite më parë duhet të bashkëlidhet në një procedim për tek Krimet e Renda.
Po ashtu krerët e lartë ndodhen në policinë vendore të Shkodrës për të analizuar dhe thelluar hetimet lidhur me ngjarjen e rëndë për zbardhjen e plotë të saj.
Ende policia nuk ka asnjë autor të dyshuar për vrasjen e Verracakut dhe plagosjen e Mehaj, të cilët u qëlluan nga një person ndërsa një tjetër e priste atë me motor dhe pak pas krimit u larguan nga vendi i ngjarjes.