Në marrëveshjen e nënshkruar në muajin prill, Italia ka dhuruar sot Prefekturës dhe Bashkisë Shkodër, pajisje dhe materiale për t’ua ardhur në ndihmë ekipit të zjarrfikëses së këtij qarku.
Ngarkesa dhuratë përmbante automjete shpëtimi, uniforma dhe këpucë sigurie e pajisje kundër zjarrit.
Në ceremoninë e dorëzimit të materialeve ishte i pranishëm ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, kryebashkiakja Voltana Ademi, Prefektja e Qarkut Shkodër, Majlinda Angoni dhe Përfaqësuesi i Njësisë Kombëtare italiane të Zjarrfikësve, ing. Matteo Carretto.
Gjatë ceremonisë ambasadori Fabrizio Bucci deklaroi se ngarkesa dhuratë është një dëshmi që i hap rrugë zhvillimit të kurseve dhe shkëmbimit të eksperiencave, mes Njësisë Kombëtare Italiane dhe asaj shqiptare.
“Rrugëtimi i cili u konkretizua edhe një herë sot është dëshmia e drejtpërdrejtë e afërsisë konstante dhe kuptimplotë e Italisë ndaj Shqipërisë, sjellje që ka për qëllim edhe dhënien rrugë zhvillimit të kurseve trajnuese dhe ndarjes së informacioneve e eksperiencave me njësitë më të përsosura të Sistemit Italia, të përfaqësuara sot këtu nga Njësia Kombëtare italiane e Zjarrfikësve”, u shpreh Bucci.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi falënderoi ambasadorin italian për bashkëpunimin e vazhdueshëm midis dy vendeve tona.
“Jemi të kënaqur që sot demonstrojmë një tjetër sukses të bashkëpunimit midis Italisë dhe Shqipërisë, bashkëpunim që ka ekzistuar gjithmonë, edhe në momentet më të vështira të vendit tonë. Italia, përmes qeverisë së saj, rajoneve, agjencive të ndryshme qeveritare, ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të vyer në Shkodër. Falë mjeteve të dhuruara nga Qeveria Italiane, do të kemi mundësi të përballojmë më mirë situatat e emergjencave civile në rast zjarresh apo aksidentesh”, tha Ademi.