Autoriteti i Konkurrencës mbyll hetimin për institucionet financiare, nuk gjen shkelje të ligjit nga IuteCredit “me shokë”

0
53
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar në tregun e subjekteve financiare jo banka (SFJB), pa evidentuar shkelje të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Hetimi i këtij institucioni kishte sidomos në vëmendje analizimin e sjelljes së disa prej institucioneve financiare jo banka, që, sipas Autoritetit të Konkurrencës, kanë pjesë të lartë tregu përkatësisht në tregjet e kredisë, mikrokredisë, faktoringut, të parasë elektronike, shërbimeve të pagesave transfertave të parave.

Objekt i hetimit ishte kryesisht sjellja e ndërmarrjeve Fondi Besa, IuteCredit Albania, Raiffeisen Leasing, Mogo Albania, Tirana Factoring&Lease dhe Union Financiar Tiranë.

Në përfundim të hetimit, Komisioni i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se në secilin prej tregjeve të mësipërme ekziston fuqi dominuese e një firme, por në asnjë rast nuk është provuar abuzimi me fuqinë dominuese në treg.

Në kuptimin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, abuzim me pozitën dominuese mund të jetë veçanërisht vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta të

blerjes ose shitjes apo e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit; kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik; zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; vendosja e kushteve për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.

Nga hetimi i thelluar, nuk ka rezultuar që asnjë nga ndërmarrjet të ketë manifestuar sjelljet e përmendura më sipër.

Megjithatë, të gjitha firmat objekt hetimi e kanë kundërshtuar konkluzionin e Autoritetit të Konkurrencës për ekzistencën e pozitës së tyre dominuese në tregjet përkatëse.

Sipas firmave, analiza e secilit prej tregjeve të mësipërme nuk mund të bëhet vetëm për pjesën që zotërojnë SFJB-të, por tregu duhet trajtuar si i tërë, duke përfshirë edhe subjektet e tjera që ofrojnë të njëjtat produkte apo shërbime.

Pothuajse të gjitha produktet dhe shërbimet që ofrohen nga SFJB-të, në fakt, ofrohen edhe nga subjekte të tjera, kryesisht banka, por edhe kompanitë e shërbimeve utilitare, në rastin e pagesave. Kompanitë gjykojnë se konstatimi i fuqisë dominuese nuk është korrekt, sepse është bërë i kufizuar mbi llojin e licencës (vetëm për pjesën që ofrohet nga SFJB-të) dhe jo mbi një vlerësim të plotë të tregut të produktit.

Në mbyllje të hetimit, Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë të hartojë raporte të veçanta mbikëqyrjeje për SFJB-të, duke përcaktuar pjesët respektive të tregut dhe duke i publikuar ato.

Autoriteti i Konkurrencës rekomandon gjithashtu që BSH të hartojë një rregullore të veçantë “për përcaktimin dhe miratimin e rregullave për kredinë konsumatore, mikrokredinë, faktoringun, qiranë financiare, për mirëfunksionimin e tregut ku veprojnë SFJB-të”.

Megjithëse rekomandimi ka një natyrë të përgjithshme, Autoriteti i Konkurrencës duket se insiston lidhur me atë aplikimin e një rregullimi në nivel të segmentit të tregut të SFJB-ve dhe jo në nivel të produkteve, siç ndodh aktualisht.

Gjithashtu, Bankës së Shqipërisë i kërkohet të bashkëpunojë me Autoritetin e Konkurrencës, në rastet kur konstatohen shenja të kufizimit të konkurrencës. /Monitor

Zjarr Tv Ad