Avokat Spartak Ngjela analizon një deklaratë të ambasadores së SHBA në Tiranë, dhënë dy ditë më parë në Euronews Albania. Ai thotë se mesazhet e Yuri Kim ishin të qarta, politika amerikane kërkon “likuidimin” e Sali Berishës ndaj ka marrë nën mbrojtje Lulzim Bashën.
Por, kjo pyetje tani është e lidhur me historinë tonë. Dhe historia si proces kombëtar ka rregullat e veta strikte. Kurse, kjo histori 30 vjeçare ka kaluar nga korrupsioni moral i Sali Berishës, gjatë viteve 90′, në korrupsionin e tij material, gjatë viteve 2005-2013.
Saliu është nongrata në Amerikë dhe mendon të pushtojë Shqipërinë për t’i shpëtuar hatasë që e pret me ndëshkimin për korrupsion. Ambasadorja amerikane, në 19 janar, duke folur, me kast, në një nga stacionet televizivë të Berishës, e bëri të qartë përpara shqiptarëve mendimin amerikan për korrupsionin dhe ndëshkimin e Saliut.
Ajo, diplomatikisht, ishte tallëse ndaj gazetares së Saliut, e cila e pyeste me pyetjet dhe argumentet pa sens logjik të Saliut. Veçse, nga teksti i drejtpërdrejtë i politikës amerikane në Tiranë, që pamë nëpërmjet ambasadores Yuri Kim, dhe nga ecuria e ngjarjeve politike dhe nga kjo që po ndodh këto ditë; kuptohet se ndëshkimi i Saliut është domosdoshmëri për zhvillimin perëndimor të Shqipërisë.
A ka ndonjë gjest politik të dukshëm për këtë gjykim? Po ka një gjest dhe akt të drejtpërdrejtë të ambasadores amerikane në Tiranë: ajo; ndërsa dje e tha hapur se “korrupsionin Berisha do ta ndëshkojë ligji”; dje, me kryeministrin shqiptar, ishte në inagurimin e fillimit të punimeve për ngritjen e bazës ushtarake amerikane në aeroportin e Kuçovës. Politika amerikane kërkon likuidimin e Saliut; dhe për këtë ka marrë në mbrojtje-drejtim prej saj Lulzim Bashën. Dhe kjo u tha hapur dje nëpërmjet ambasadores amerikane në Tiranë Yuri Kim.
Dhe, gjatë këtij artikulimi, ajo u tall me “fantazinë” Berisha duke theksuar se “asnjë shkelës ligji që ka grabitur shqiptarët me forcën e pushtetit politik nuk do të shpëtojë pa u ndëshkuar” Kurse dje, siç e thamë më lart, Ambasadorja Yuri Kim shkoi për inaugurimin e aeroportit amerikan të Kuçovës. Shumë e thjeshtë; gjeopolitika amerikane është bashkuar me interesin e shqiptarëve për të likuiduar korrupsionin Berisha. Atëherë?
E pra, çfarë humbasin shqiptarët nga çlirimi i korrupsionit Berisha?! Asgjë. Shqiptarët fitojnë dinjitetin e tyre individual, fitojnë krijimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe hyjnë në rrugën reale të zhvillimit të tyre kombëtar. Ja, kjo është e vërteta, që për historinë e këtyre viteve të trazuara, kaloi nga korrupsioni moral në korrupsionin material të Sali Berishës.
Në fakt, kriza shqiptare është mungesa e ligjit. Dhe shqiptarët kanë njëqind vjet që e kërkojnë. Ata që me forcën e pushtetit kanë grabitur shqiptarët dhe kanë vënë prona të paligjshme e kanë depozituar para të vjedhura, do të ndëshkohen nga vendosja e ligjit në Shqipëri nëpërmjet pushtetit të ri gjyqësor – SPAK- ut.
Dhe, pikërisht për këtë, ka një aleancë të fuqishme shqiptaro-amerikane për drejtësinë në Shqipëri; dhe ka edhe një shpresë konkrete të shqiptatëve që drejtësia do të vendoset me reformën që tani është në veprim – kjo është substanca e deklarimit Kim në ndihmë të optimizmin të shqiptarëve, se e keqja më në fund, shumë shpejt do të largohet nga ky vend.