Erinda Ballanca, Avokate e Popullit, thotë se harta e re gjyqësore ka një sërë problematikash, nga kufizimi i aksesit tek ulja e besimit të qytetarëve te drejtësia. Sipas saj, kjo është një lëvizje e detyruar nga mungesa e kapaciteteve njerëzore për shkak të vettingut.
Ballanca tha se studimi paraprak është bërë dhe i është dërguar Ministrisë së Drejtësisë, në formë rekomandimi. Edhe avokatët në gjithë vendin kanë protestuar për 4 ditë me radhë, për hartën e re gjyqësore, duke mos marrë pjesë në gjyqe.
“Nuk ka diskutim që aksesi i qytetarëve te drejtësia kufizohet përmes hartës së re gjyqësore. E kemi bërë studim dhe kemi bërë një rekomandim që ua kemi dërguar edhe ministrisë së drejtësisë. Është lëvizje e detyruar për ta vënë sistemin në shina, sesa një hartë gjyqësore, se shkaku kryesor pse po bëhet është numri i vogël i gjyqtarëve që ne nuk kemi si ta adresojmë ndryshe. Kjo për shkak të mosparashikimit të atyre që bënë ligjin, që reforma do të ishte kaq e thellë me largimin e shumë gjyqtarëve nga sistemi…”, ka thënë Ballanca në A2.
Për Avokatin e Popullit, problemi i hartës së re gjyqësore nuk është kostoja e qytetarëve, por ulja e besimit te drejtësia dhe cilësia e gjykimit. Ballanca thekson se i ka adresuar KLGJ-së disa rekomandime, pasi nuk ka marrë parasysh elementët thelbësore në hartimin e saj, që nga modeli i referencës.
“Problemi kryesor nuk është kostoja se është i zgjidhshëm, por besimi që do kenë qytetarët te drejtësia dhe cilësia e procesit gjyqësor. Një zgjidhje më mirë do të ishte që të lëviznin gjyqtarët dhe ta ndjenin qytetarët drejtësinë.
Nëse ne do të vazhdojmë të mos e realizojmë këtë nuk kemi arritur asgjë. Ne do vazhdojmë të kemi rënie të besimit të qytetarëve te drejtësi sistemi i drejtësisë është biznes i shtrenjtë që kërkon para”, është shprehur ajo.