Avokati i njohur Adriatik Lapaj kërkon ndërhyrjen e Prokurorisë së Tiranës, për shitjen e biletave të ndeshjes Shqipëri-Çeki. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lapaj thotë se skema e shitjes së biletave funksionon me tregun e zi, aty ku do të shiten me çmime 3 deri në 4 herë më të larta.
Ai thotë se Prokuroria duhet të sekuestrojë serverat qëndrorë të shitjes së biletave dhe të administrojë të gjithë praktikën e arkëtimeve për të parë kush dhe si i ka blerë biletat.
‘I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimet kryesisht për maskaradën e biletave të ndeshjes Shqipëri – Çeki. Skema ku biletat i blejnë pak duar dhe pastaj i shesin në tregun e zi me çmime 3-4 herë më të larta është e paligjshme dhe duhet goditur rëndë. Prokuroria duhet të sekuestrojë serverat qëndrorë të shitjes së biletave dhe të administrojë të gjithë praktikën e arkëtimeve për të parë kush dhe si i ka blerë biletat.’
Federata Shqiptare e Futbollit nxori dje në shitje biletat e ndeshjes Shqipëri -Çeki, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Për duelin e datës 12 tetor që do luhet në “Air Albania” interesi i tifozëve ka qenë i madh, duke bërë që serveri i faqes online të ishte “në tokë” për shumicën e kohës. Tashmë nuk ka më bileta në shitje.