Replika të forta janë shënuar sot në Kuvend, pas fjalës së Grida Dumës në lidhje me buxhetin e shtetit të vitit të ardhshëm. Duma tha se deputetët e PS nuk ekzistojnë politikisht, gjë që nxiti debate të forta.
Ishte fillimisht Taulant Balla ai që e pyeti Dumën se ku e gjen helmin për të fyer në mëngjes.
Deputetja e PD-së e njohur për retorikën e saj, tha se helmin e gjen te të gjithë njerëzit që varfërohen dhe tkurren çdo ditë, nën pushtetin e atyre që janë në krye të qeverisë, që sipas saj po marrin trajtën e diktaturës.
Duma: Dini gjë që ekzistenca është ofendim, e di se ku e gjej helmin, kur kam shkuar te zona e këtij, dhe thonin që mos të na kapë kamera, se na e hoqën edhe këtë copën e vendit që kemi marrë dhe shesim fruta perime. Te diktatori i këtij vendi, që i keni zvogëluar njerëzit e këtij vendi, duartrokisni për çdo gjë që bëni gabim. Që të jesh grua nuk nuk duhet të diskriminohesh as pozitivisht.
Ndërkohë që deputetja Klotilda Bushka kërkoi që drejtuesja e Kuvendit Lindita Nikolla të respektojë rregulloren, dhe që deputetët e opozitës të mos e marrin fjalën pa leje.
Bushka: Kryetare, ky libri i rregullave që nënvlerësohet nga kryetari i opozitës është pjesë e betimit të deputetëve. Nëse deputetët nuk duan të respektojnë atë që janë betuar, është çështje tjetër. Kodi i sjelljes i ka bërë të gjitha të qarta.