Balla flet për Investimet në infrastrukturë

0
15

Përmes Agjencisë së Shërbimeve Publike, Bashkia e Elbasanit është duke punuar për sistemimin e rrugëve të fshatrave. Falë mbështetjes së Qeverisë Japoneze, Bashkisë Elbasan ju dhuruan dy ekskavatore të vegjël që mund të përdoren për hapjen e kanaleve dhe sistemimin e rrugëve rurale. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla sëbashku me Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja dhe deputeten Evis Kushi ishin në fshatin Letan, ku po punohet për sistemimin e rrugëve. “Elbasani është një prej bashkive me numrin më të madh të kilometrave rrugë rurale. Pas këtij rikonstruksioni të parë unë e di që ju dëshironi që rruga të shtrohet me asfalt, por një investim i tillë është shumë i madh. Por ne kemi rënë dakord me Kryetarin e Bashkisë që Agjencia e Shërbimeve Publike të ketë një fabrikë të prodhimit të asfaltit të vetën e në këtë mënyrë kostoja e investimit në këto zona do të jetë më e vogël” deklaroi Balla. Përveç sistemimit të rrugës, një punë e madhe është bërë për sistemimin e kanaleve anësore, duke qenë se janë pikërisht ujërat sipërfaqësore që e shkatërrojnë rrugën.
Dhjetëra kilometra kanale anësore janë hapur dhe pastruar për të bërë të mundur që rrugët rurale në zonat e thella të Elbasanit të mos shkatërrohen me shiun e parë, por të jenë e qëndrueshme dhe funksionale në çdo moment.