Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla thotë se Kuvendi do të miratojë buxhetin më të madh në historinë e Shqipërisë, me rreth 6.37 miliard lekë.
Duke ironizuar kryedemokratin Lulzim Basha, Balla tha se ky buxhet është dy herë më i madh nga ai që miratoi për herë të fundit Partia Demokratike për vitin 2013.
Pjesë nga fjala e Ballës në Parlament:
Më vjen keq që foltorja e kuvendit transferohet në një model të shëmtuar të nevojës për të pasur diskutime publike, sepse fjala e kolegut nuk kishte asnjë lidhje me aktin normativ. Sot Shqipëria bëhet gati të miratojë një buxhet prej 6.37 miliard dollarë apo dy herë më shumë se ai që miratuat ju në vitin e fundit. Dy herë më shumë, ky është buxheti më i madh në histori.
Ku shtrohet ai argumenti që kjo qeveri s’paska bërë? Shifrat janë kokëfortë. Kemi kohë pas një jave dy ditë seancë për të diskutuar gjerë e gjatë për natyrën e buxhetit. Ky është buxheti më i madh, ky është buxheti që garanton dhe stabilizon rritjen ekonomike më të lartë, dhe garanton shtresat sociale.
Ta dish ti Lulzim Basha dhe të gjithë të tjerët, për ne kanë rëndësi shtresat në nevojë. E fundit, ky është një buxhet që do të përfundojë tërësisht projektin e madh të rindërtimit të të gjitha shtëpive të dëmtuara nga tërmeti.