Balla:Disa pseudohistorianë tentojnë të bëjnë pis LANÇ

0
2

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ishte i pranishëm në Cërrik në kuadër të aktiviteteve të 76-vjetori të batalionit të Dumresë.

“Është kënaqësi, që tashmë prej kohësh dhe sot së bashku me Presidentin e Republikës, kremtojmë festën e një prej batalioneve më të rëndësishme të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ky është viti i 76 i themelimit të batalionit të Dumresë, i cili pati një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e atdheut tonë.Ne nuk duhet të harrojmë se në të gjithë Europën, vetëm Shqipëria u çlirua me gjakun e 28 mijë dëshmorëve të cilët dhanë jetën.

Sot është dita që ne ta rikujtojmë këtë moment historik. Në këtë 75 vjetor të çlirimit të atdheut ne jemi aty ku ëndrra e dëshmorëve, dëshironte të ishim. Jemi në pragun e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe unë jam shumë i sigurtë që ky 75 vjetor do të jetë Viti i Europës për shqiptarët, viti i fillimit të bisedimeve për anëtarësim.” Tha Balla ndërsa një përgjigje ka edhe për zërat kundër LANÇ.

“Shpreh gjithashtu kundërshtumin tonë kundrejt atyre përpjekjeve të bëra së fundmi nga disa pseudohistorianë të cilët tentojnë të bëjnë pis LANÇ.

JO, LANÇ është një prej epokave më të ndritura të atdheut tonë dhe kush tenton të hedhë baltë mbi LANÇ do të marrë përgjigje të ashpër nga ana jonë.

Si Sekretar i Përgjithshëm i PS, dua t’u them Organizatës së Veteranëve të LANÇ, dua t’u them Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, se ne jemi këtu dhe do të qëndrojmë fort për të mbështetur LANÇ. Për ne, ajo është pjesë e gjakut që na rrjedh në vena dhe ne do të mbrojmë me përkushtim të gjitha mesazhet që dha lufta.

Së fundmi, gjej rastin t’u them, se sot jemi vetëm dy javë nga rekomandimi i Komisionit Europian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim dhe sigurisht ndër vite këtu kanë kontribuar të gjithë aktorët politikë dhe apeli im këtu nga Cerrikut është: ”Për Europën, për gjakun e dëshmorëve ne duhet të jemi të gjithë së bashku.”- vijoi më tej kreu i grupit parlamentar të PS-së.