«Ballkani i dehur»

0
44
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Ilir Yzeiri

Nëse do t’i besojmë vullnetit të kryeministrave të Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, të cilët nismën e « Ballkanit të Hapur » e pagëzuan edhe me panairin e verës shqiptare që u mbajt në Beograd, atëherë metafora « Ballkani i dehur » që përdorte shkrimtari dhe publicisti Jani Lili në vitet ’30-‘40 duhet ridimensionuar. Në vitin 1945 ai shkruante : « Një tokë vullkan nga pasione dhe ndjenja të fuqishme. Popuj që u vlon përbrenda urrejtja, armiqësia e gatuar me kalorësinë, fisnikëria spontane me barbarinë. Pasionet këtu nuk i zbut asnjë civilizim, asnjë kulturë nuk i qetëson. Dhe çdo brez trashëgon nga ai parardhës të gjitha karakteristikat dalluese ».

Ballkani duket sikur fle mbi këto pasione dhe sa herë hedh një hap para, në mes i del hendeku i madh i ndarjes plot me viktima që ende nuk dihet ku i kanë eshtrat.

Vera që pinë në Beograd liderët e tre vendeve që duan të shohin një Ballkan ndryshe u ka thyer gotat e dollisë Turqisë dhe Greqisë. Dy vendet e NATO-s që kanë anijet e tyre të luftës afër njëra-tjetrës në formacionet e Aleancës në Mesdhe, e kanë rritur tensionin dhe ashpërsinë e fjalëve sa që të krijohet përshtypja që lufta mes tyre mund edhe të mos jetë çështje fjalësh. Akuzat që i bëjnë njëra-tjetrës dhe kërcënimet me asgjësime si ato mes atyre të dehurve pas mesit të natës të kujtojnë gjithmonë atë që thoshte Jani Lili se Ballkani është gjithmonë i dehur.

Disa ditë më parë shkrimtari rus Mihail Shishkin, në një artikull të botuar në « Corriere della sera », thoshte se bota ka hyrë në luftën e tretë botërore por nuk e beson ende. Duke iu referuar atdheut të tij, Rusisë,  ai shkruan se, edhe nëse Putini ndërrohet apo vdes, ai që do ta pasojë atë do të bëjë të njëjtën gjë sepse ai vend është i dehur nga ideja e Rusisë së madhe e të shenjtë dhe të tjerët po i bëjnë asaj padrejtësi. Ajo po martirizohet që t’u kthejë rusëve lavdinë e grabitur.

Në Perëndim askush nuk do që të flitet për luftën. Të gjithë duan të bisedojnë për pushimet. Njerëzit janë të lodhur. Ata duan çmimet e qëndrueshme dhe një jetë të qetë. Për fat të keq, thotë ai, i vetmi leksion që mund të nxjerrim është se historia nuk na mëson asgjë. Edhe kur Hitleri nisi Luftën, qytetarët e asaj kohe mendonin për pushimet, për jetën e qetë dhe uronin të mos rriteshin çmimet. Kjo më kujton, thotë ai, pamjen e një udhëtari që kisha në tren kohë më parë. Ai mbante hapur një gazetë e cila në faqen e parë kishte lajmet nga lufta në Ukrainë dhe në faqen e fundit fjalëkryqin. Kuptohet që udhëtari im po mundohej të zgjidhte fjalëkryqin.

Ngjarjet e ditëve të fundit në Ukrainë i kanë bërë optimistë ukrainasit dhe duket se fitorja mund të jetë e afërt. Mirëpo burime serioze besojnë se Putini nuk mund të pranojë humbjen. Përdorimi i armëve bërthamore nuk duket më si një gjë e largët.

Kjo atmosferë, ideja e Rusisë së Shenjtë dhe pansllavizmi që ushqen atë vijnë deri në Ballkan dhe pavarësisht verës që mund të shërbejë për të trokitur gotat në panair, serbët dhe lidhja e tyre më Rusinë e mbajnë gjithmonë të ndezur afshin që prodhon pasionet e Ballkanit të dehur.

Ndërkaq bota është bërë shumë e vogël. Tani askush nuk mund ta ndiejë veten jashtë. Dikur Persët i kishim menduar vetëm si luftëtarë kundër helenëve. Tani pasardhësit e tyre, shteti iranian na kanë deklaruar atë që me terma modernë quhet luftë kibernetike.

Shqipëria i ndërpreu marrëdhëniet me Iranin dhe kryeministri shqiptar urdhëroi largimin e personelit të ambasadës iraniane nga territori ynë. Aleatët tanë strategjikë SHBA-të e mbështetën këtë vendim dhe e siguruan kryeministrin tonë se ata do të jenë në krah të Shqipërisë në këtë konflikt të ri.

Ky muaj nuk mund të kalojë pa rikujtuar 11 shtatorin, sulmin mbi Kullat binjake që shenjoi një epokë të re në zhvillimin global. Megjithëse ende nuk është zhvilluar asnjë gjyq për atë ngjarje tragjike, amerikanët, por edhe gjithë vendet perëndimore e demokratike, e rikujtuan atë ditë për të ritheksuar edhe njëherë se e keqja nuk duhet të harrohet, megjithëse nga historia, siç thoshte shkrimtari rus Shishkin, ne mësojmë shumë pak.

Ky muaj do të ketë edhe një datë tjetër që tashmë hyri në memorien kolektive globale. U nda nga jeta mbretëresha e Anglisë Elisabeta II dhe bashkë me të u largua edhe një pjesë e rëndësishme jo vetëm e historisë britanike, por edhe e historisë botërore. Kujtimi për të ishte i ndryshëm në vende të ndryshme. Kukësi dhe kryetari i bashkisë së atij qyteti e kujtuan me mirënjohje mbretëreshën dhe shpallën edhe se do të mbajnë një apo disa ditë zi për të.

Kjo është një mirënjohje sipas mënyrës shqiptare, por ka brenda edhe sinqeritetin e një krahine e cila në kohë të vështira si këto të tranzicionit ka gjetur mënyrën ta falenderojë mbretëreshën për mundësinë që u ka krijuar atyre qindra e qindra banorëve të asaj krahine të cilët në mënyrë të ligjshme ose më shumë të paligjshme kanë ndërtuar jetën në Angli dhe kanë ndihmuar familjet e tyre në ato treva. Natyrisht, ky falenderim dhe kjo mirënjohje për mbretëreshën nuk prek cinizmin e një pjese të shtypit britanik që jo vetëm ka krijuar klishenë e shqiptarit të paligjshëm, por ka mbushur botën edhe me mijëra faqe skandalesh nga jeta e monarkisë. /tema

Zjarr Tv Ad