Ballkani i Hapur/ Si po aplikohet pas 22 vitesh ideja e George Soros, çfarë shkruante multimiliarderi në vitin 1999

0
873
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Minishengeni apo Ballkani i Hapur, që është emri i ri i iniciativës së bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një ide edhe më e vjetër se angazhimi i Edi Ramës, Aleksandër Vuçiçit apo Zoran Zaev në politikë…

Ajo daton e shkruar në vitin 1999 nga multimiliarderi George Soros, i cili në një shkrim në mediat amerikane hidhte idenë e Ballkanit të Hapur, ku shtetet do të kishin gjithnjë e më shumë një rol jodominues, dhe ku bashkëpunimi mes vendeve do të ishte më intesiv.

Në shkrimin e Soros në vitin 1999 thuhet mes të tjerave se Ballkani nuk mund të ndërtohet në sajë të shteteve kombëtare pasi kjo mund të sillte përplasje të vazhdueshme. Soros hidhte idenë e një mekanizmi të ngjashëm me atë të BE-së për t’u aplikuar edhe në Ballkan, ndërsa deklaronte se SHBA dhe vendet e BE-së nuk duhet të presin që të reagojnë gjithnjë pas krizave që përfshijnë vendet ballkanike.

Në shkrimin e Soros thuhet se: Vetë rajoni duhet parë se është më i madh se ish-Jugosllavia e cila nuk duhet të bashkohet përsëri. Duhet të përfshijë Shqipërinë dhe Bullgarinë dhe duhet të jetë e hapur për vende si Rumania dhe Moldavia. Ne nuk duhet të përsërisim gabimet e bëra në Bosnje.

Përpjekjet e rindërtimit në Bosnjë nuk arritën të realizohen plotësisht, pasi sipërfaqja e vendit është shumë e vogël. Këtë herë angazhimi ynë duhet të shtrihet në të gjithë rajonin. Kjo pikë duhet të kuptohet mirë nga politikanët.

Pakti i Stabilitetit për Evropën Juglindore i nënshkruar në Këln, Gjermani më 10 qershor(1999) siguron një pikënisje të shkëlqyer. Ai krijon tre grupe pune: për demokratizimin dhe të drejtat e njeriut; për rindërtimin, zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik; dhe për çështje sigurie.

Thelbi i planit përbëhet nga katër hapa të ndërlidhur:

(1) Bashkimi Evropian merr kontrollin e shërbimeve doganore të vendeve pjesëmarrëse.

(2) Bashkimi Evropian kompenson vendet për humbjen e të ardhurave doganore jashtë buxhetit të Bashkimit Evropian.

(3) Kompensimi mund të pasqyrojë humbjen e mundshme dhe jo aktuale të të ardhurave, por elementi i subvencionit do të kushtëzohej rreptësisht nga performanca. Për shembull, Serbia do të duhet të zhvillojë zgjedhje nën patronazhin e OSBE -së në mënyrë që të jetë e pranueshme. Kjo ka më shumë gjasa të heqë Millosheviçin nga pushteti sesa bombardimet.

(4) Me mbështetjen buxhetore nga BE -ja, vendet do të kalonin në euro si monedhë e përbashkët.

Sipas Soros në rast se katër masat e mësipërme do të aplikoheshin, atëherë Ballkani do të funksiononte si një rajon i tregtisë dhe lëvizjes së lirë.

Kjo ide e Soros i ishte propozuar qeverisë shqiptare në këtë vit, por nuk ishte pranuar. Ka qenë ministri i kohës, Paskal Milo, ai që ka zbuluar në një intervistë për mediat prapaskenat e këtij refuzimi. Milo ka dhënë dhe arsyet se pse Shqipëria më shumë goditet sesa fiton nga ky projekt, ku tregu vendas sipas tij me shumë mundësi do të pushtohet nga mallrat serbe.

“Ky Mini-Shengen është një proces që ka ndodhur, nuk është hera e parë që zbatohet në Ballkanin Perëndimor, është bërë edhe në vendet skandinave. Unë e shoh, ndonëse ideja mund të jetë e drejtë, se i përgatit këto vende për hapjen e negociatave. Në kushtet ku ndodhet Ballkani Perëndimor, sidomos Shqipëria është një hap që në mos duhet parë me dyshim, duhet parë me kujdes.

Shqipëria është vendi më i prapambetur, përkundrejt një Serbie që në çdo pikëpamje është më e fortë se ne. Ka rrezik që tregu shqiptar të shërbejë si një treg ku do shiten mallrat serbe, ku mallrat shqiptarë për shkak të konkurrencës mund të mos kenë vend, ndërkohë që mallrat serbë do kenë më tepër mundësi për të dominuar tregun shqiptar, se ekonomia serbe ka dominuar mbi atë shqiptare.

Unë e shoh me dyshim. Nuk jam i sigurt se ky hap do të jetë i dobishëm për Shqipërinë. Ne nuk kishim nevojë për këtë marrëveshje, pasi lëvizim të lirë, jemi pjesë e Shengenit”, deklaroi Milo.

E për të përforcuar idenë se minishengeni apo Ballkani i Hapur, është një iniciativë me bekimin e Soros, mjafton të shohim postimet e djalit të multimiliarderit në Instagram, i cili ka qenë i pranishëm në forumin ekonomik në Maqedoni, me pjesëmarrjen e tre shteteve, Shqipëri-Serbi-Maqedoni.

Nisma, e cila nisi si një bashkëpunim mes 6 vendeve të Ballkanit, tashmë është kthyer në një treshe Shqipëri-Maqedoni-Serbi, pasi Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk kanë pranuar që të vazhdojnë iniciativën, pasi sipas tyre kjo nuk i shërben vendeve, dhe do të sillte fuqizimin e Serbisë.

Nuk dihet ende se cilat do të jenë projektet e mbështetura nga BE në kuadër të Ballkanit të hapur, ndërsa ajo që dihet me siguri është se e humbura e madhe është Shqipëria. Me një volum eksportesh që është më i ulët se ai që ka Serbia dhe Maqedonia drejt vendit tonë, heqja e barriera favorizon këto të dytat, dhe duket se nuk sjell asnjë përfitim për vendin tonë.

Të dyja shtetet përmes Ballkanit të hapur do të sigurojnë dalje në det, që shumë shpesh i është premtuar Kosovës dhe derimë tani nuk i është dhënë.

 

Zjarr Tv Ad