Banesa e bllokuar, dyshime se u përdor nga rrëmbyesit e Çollakut dhe Stafukës

0
331
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Zbulimi i një arsenali armësh në një banesë të braktisur, mund të çojë në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale, që kanë ndodhur vitet e fundit në Durrës.

Bëhet fjalë për snajper e silenciatorë, automatikë, pistoletë, si dhe veshje e fenelina të Policisë. Pikërisht, nisur nga uniformat e Policisë, ka dyshime se personat që kanë fshehur armët në apartamentin pranë zonës së Shkëmbit të Kavajës, mund të kenë realizuar rrëmbimin në qendër të Durrësit dhe më pas ekzekutimin e Gazmend Çollakut, shkruan “Panorama”.

Po me uniformë Policie ishin të veshur personat që rrëmbyen Enver Stafukën në Fushë-Krujë. Nisur nga ky fakt, grupi hetimor dyshon se mund të kemi të bëjmë me një grup kriminal mjaft të rrezikshëm, duke mos e përjashtuar një lidhje të mundshme të këtij arsenali të zbuluar me dy ngjarjet e mësipërme.

Arsenali i armëve u gjet në apartamentin e 56-vjeçarit Xhevahir Lushka, me orgjinë nga Fieri. Pas sekuestrimit, Policia e Durrësit i ka dërguar në laboratorin e Kriminalistikës për të verifikuar nëse janë përdorur ose jo në ndonjë ngjarje kriminale të pazbardhur.

Policia dyshon se arsenali i armëve, mes të cilave edhe katër silenciatorë, krehra me fishekë, fenelina, mjete dhe veshje Policie e kapuça, si dhe sasi e vogël e lëndës narkotike e dyshuar marijuanë, i përket një grupi të strukturuar kriminal, në Durrës e më gjerë.

Ekspertët kriminalistë kanë marrë edhe shenjat e gishtërinjve dhe prova të tjera në vendin ku zbuluan armatimin, me qëllim për të identifikuar poseduesin e tyre. Mësohet se apartamenti posedohej aktualisht nga shtetasi Xhevair Lushka, 56 vjeç, i cili është shpallur në kërkim. Sipas burimeve, banesën, që ndodhet në katin e gjashtë të një pallati në zonën e Shkëmbit të Kavajës, vite më parë ai e përdorte gjatë periudhës së verës.

Por prej disa kohësh, banorët nuk kishin pikasur asnjë person të futej dhe të dilte nga apartamenti. Hetuesit e Policisë dyshojnë se apartamenti përdorej nga persona me precedentë kriminalë, të cilët e kishin kthyer në strehën e tyre, duke fshehur edhe armatimet dhe uniformat e Policisë, që dyshohet t’i kenë përdorur në aktivitetin e tyre kriminal.

“Personi që kishte në posedim apartamentin, është shpallur në kërkim, por kemi mësuar se ai nuk ndodhet në Shqipëri dhe ka emigruar në SHBA. Dyshojmë që ky apartament, në dijeni ose jo të poseduesit, përdorej nga një grup i strukturuar kriminal. Tani, Xhevahir Lushka (pronari) ia ka lënë ndonjë të afërmi apo të njohuri çelësat e apartamentit apo personat ende të panjohur kanë pikasur që ai ndodhej në SHBA dhe kanë hyrë në këto ambiente pa dijeninë e tij, këtë nuk e dimë.

Por, duke marr parasysh faktin se janë gjetur armë, të cilat i disponojnë vetëm grupe kriminale, dyshojmë se kemi të bëjmë me një bandë kriminale që vepron në Durrës e më gjerë”, thanë burime nga grupi hetimor për gazetën, duke shtuar:

“Në rrethin e Durrësit janë disa ngjarjet që kanë ndodhur nga persona të maskuar me uniforma Policie, siç është rrëmbimi dhe më pas ekzekutimi i Gazmend Çollakut, rrëmbimi i Enver Stafukës në Fushë- Krujë, grabitja e dy automjeteve në autostradë, si dhe grabitja e një kambisti në qendër të Durrësit.

Ngjarje, të cilat mbeten ende pa autorë. Ne dyshojmë se këto armë dhe uniforma Policie janë përdorur në këto ngjarje. Por, megjithatë, hetimet do t’i vërtetojnë këto dyshime”, bëjnë të ditur burime pranë Policisë Durrës.

Zjarr Tv Ad