Banka Botërore: Borxhi i ekonomisë shqiptare 106.5% e PBB-së, e dyta pas Malit të Zi në Rajon

0
69
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Borxhet në ekonominë shqiptare arritën në 106.5% të PBB-së në vitin 2020, nga të cilat 77.6% përllogariten si borxh publik dhe 28.9% si borxh privat i jashtëm, sipas të dhënave të Bankës Botërore në raportin e pranverës për vendet e rajonit të Europës Qendrore dhe Lindore (ECA).

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria u rendit e dyta pas Malit të Zi për borxhet totale në ekonomi.

Mali i Zi kryeson rajonin si me borxhin publik, edhe atë privat. Në vitin 2020, detyrimet publike arritën në 107.2% të PBB-së, ndërsa detyrimet private 92.6% të PBB-së.

Në anën tjetër, Kosova dhe Bosnja renditen si vendet me detyrime të ulëta në ekonomi, me 42 dhe 76% të PBB-së secila.

Duke vlerësuar ecurinë e borxhit publik dhe atij privat, në Shqipëri, qeveria ka krijuar detyrime të larta në krahasim me homologët e tyre në rajon, ndërsa privatet në Shqipëri dhe Kosovë kanë nivelin më të ulët të detyrimeve krahasuar me qytetarët e tjera në Ballkanin Perëndimor.

Banka Botërore vë në dukje se, përbërja e borxhit në rajonin ECA ka ndryshuar gjatë dekadës së fundit, duke rritur dobësitë ndaj stresit të tregut financiar.

Shqipëria përveçse ka rritur borxhin total në përqindje të PBB-së, ka shtuar edhe ekspozimin ndaj borxhit të jashtëm nëpërmjet rritjes së financimit me Eurobond. Struktura e mbajtësve të borxhit është përkeqësuar më tej dekadën e fundit.

Në krizën financiare të vitit 2008, borxhi i jashtëm i vendit dominohej nga marrëveshjet dypalëshe, që krijonin mundësi rinegocimi. Ndërsa me emetimin e eurobondit, borxhi i jashtëm është me kushtet e tregut dhe i ekspozuar ndaj ndryshimit të normave të interesit.

Tregjet financiare janë vënë nën stres nga lufta në Ukrainë dhe janë shtuar rreziqet për rifinancimin e borxhit. Shqipëria është vulnerabil ndaj shtrëngimit të menjëhershëm të kushteve të financimit të jashtëm.

Çdo shtrëngim i mëtejshëm i kushteve të financimit e bën shërbimin e borxhit publik më të kushtueshëm dhe mund të paraqesë sfida të qëndrueshmërisë fiskale. Në janar – mars 2022, nga buxheti u shpenzuan më shumë se 11 miliardë lekë për shlyerjen e interesave të borxhit pa llogaritur principalin, me një rritje vjetore 20%.

Rritja e shpenzimeve për interesat po shtyhet nga nivelet e larta të borxhit publik të vendit që në vitin 2021 arriti në 78.1 % të PBB-së. Stoku në vlerë i borxhit arriti në 1,38 triliardë lekë me një rritje 1,5 miliardë lekë (1.3 miliardë euro) në raport me vitin 2020. Ky është zgjerimi vjetor më i lartë i ndërmarrë nga qeveritë shqiptare ndër vite.

Në raport me PBB rritjen më të madhe e pati borxhi i jashtëm, i cili në fund të vitit 2021 arriti në 38.4% të PBB-së nga 35.8% në fund të vitit 2020. Në raport me periudhën para pandemike, borxhi i jashtëm u rrit me 8 pikë përqindje. Vlera e tij u rrit kryesisht nëpërmjet emetimeve të njëpasnjëshme të Eurobondeve me 2020 dhe 2021.

Rritje ka pësuar edhe borxhi i brendshëm, por në raporte me të buta. Më 2021, niveli i tij arriti në 39.6% të PBB-së me zgjerim 0.2 pikë % të PBB-së në raport më vitin 2020, ndërsa në raport me para pandemisë borxhi i brendshëm shënoi rritje me 4.3 pikë % të PBB-së./B.Hoxha

Burimi: Revista Monitor

https://www.monitor.al/borxhi-i-ekonomise-shqiptare-106-5-e-pbb-se-e-dyta-pas-malit-te-zi-ne-rajon/?fbclid=IwAR0SHN2iYu1xwMCR9Sn37psVvrt4EywzVoDv2BzVwl7qyBysQo9i0t9GD5s

Zjarr Tv Ad