Bankat mbyllin vitin më të mirë në një dekadë, por rritet rreziku nga inflacioni

0
58
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Vitin e kaluar, sektori bankar u tregua i aftë të tejkalonte pa shumë dhembje efektet e pandemisë. Fitimi arriti vlerat më të larta historike, huaja dhe depozitat shënuan rritjen më të lartë në një dekadë dhe kreditë me probleme, nivelin më të ulët në 14 vjet. Megjithatë, “stuhia” inflacioniste e ka vënë shumë shpejt ekonominë dhe sektorin bankar para sfidave, rreziqeve të reja dhe normave në rritje të interesit.

Ersuin Shehu

Në treguesit kryesorë, viti 2021 ishte më i miri për sektorin bankar shqiptar në të paktën një dekadë. Mbështetur në raportimet paraprake, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, të publikuar nga Shoqata Shqiptare e Bankave, aktivet e sistemit bankar u rritën me 11.7% gjatë vitit të kaluar, ritëm ky më i lartë se zgjerimi prej 7% i vitit 2020.

Në fund të vitit 2021, aktivet e sektorit bankar arritën në 1.78 trilionë lekë, afërsisht sa 100% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (mbështetur në vlerësimet tremujore të INSTAT), në rritje të lehtë nga niveli prej 97% i një viti më parë. Rritja e vitit 2021, në terma realë u ngadalësua në raport me vitin paraardhës.

Por, kjo diferencë u përcaktua kryesisht nga luhatja e fortë që pësoi Prodhimi i Brendshëm Bruto prej pandemisë, me një rënie të ndjeshme prej 3.5% në vitin 2020 dhe me një rritje të lartë prej 8.5% (sipas vlerësimeve paraprake) për vitin 2021.

Portofoli neto i kredisë regjistroi rritjen më të shpejtë të dekadës së fundit dhe arriti vlerën e 648 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 11.8%. Në terma realë, kredia përbën rreth 36.3% të PBB-së, nga 35.2% një vit më parë. Fitimi neto, në vlerë absolute, ishte më i larti në historinë e sektorit, ndërsa kthimi nga kapitali u përmirësua krahasuar me vitin 2020, por nuk është ende në nivelet e viteve më të mira.

Konsolidimi i sektorit dhe ulja e numrit të bankave duket se po jep efektet e para pozitive, me më shumë oreks për rrezik dhe më shumë ambicie për t’u rritur mes bankave të sektorit. Bankat po zgjerojnë më tej infrastrukturën e shërbimeve dixhitale, madje edhe numri i degëve i është kthyer rritjes.

Rezultati i përbashkët i 12 bankave të sistemit për vitin 2021 ishte pozitiv, në vlerën e 19 miliardë lekëve, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë dhe po i njëjti zgjerim në raport me 2019-n. Ky është fitimi më i lartë vjetor, i raportuar ndonjëherë nga sektori bankar në Shqipëri.

Gjatë vitit 2020, rezultati financiar ishte ndikuar ndjeshëm nga shpenzimet më të ulëta për provigjonime për shkak të moratoriumit të Bankës së Shqipërisë për ngritjen e pagesave të kësteve për bizneset dhe individët e prekur nga situata e Covid-19, duke bërë që bankat të kenë më pak shpenzime provigjionimi se do të kishin normalisht.

Vitin e kaluar, rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë dhe pasojat minimale në cilësinë e portofolit të kredisë sollën rënie të provigjioneve dhe përmirësim të rezultatit financiar. Edhe sipas standardeve të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, fitimi neto për vitin 2021 ishte edhe më i lartë, me rreth 21.6 miliardë lekë, në rritje me 28% krahasuar me vitin 2020. Efektin kryesor e dha rritja e të ardhurave neto nga interesat me 7.5% dhe rënia e shpenzimeve për provigjione, me 77%.

Megjithëse në vlerë absolute, fitimi ka arritur nivele rekord, kthimi nga investimi, nuk është ende në nivelin e parakrizes. Për vitin 2021, kthimi nga kapitali aksioner (ROE) shënoi nivelin 11.36%, në rritje nga niveli 8.63% i vitit 2020, por ende më i ulët në raport me vitin 2019, përpara pandemisë, kur shënonte nivelin 12.03%. Rritja graduale e kërkesave për kapital ndaj bankave, që ka nisur të aplikohet prej vitit 2018, e bën të vështirë arritjen e kthimeve shumë të larta, megjithatë “ngushëllimi” është se për vitin e kaluar, treguesi ROE u kthye në nivele dyshifrore./Marrë nga: Monitor

Zjarr Tv Ad