Banorët e Bregut të Lumit kalojnë natën te fqinjët pas shembjes së banesave

0
4

Banorët e Bregut të Lumit që preken nga zgjatimi i Bulevardit të ri pas shembjes së banesave kanë mundur të gjejnë strehim te fqinjët. Ata këmbëngulin se nuk do të pranojnë banesat sociale të dhëna si zgjidhje nga Bashkia.

Pas shembjes së 7 banesave në zonën e Bregut të Lumit, ajo se çfarë ka mbetur janë vetëm gërmadhat.

Lirie Muça është duke mbledhur sendet e mbetura nga banesa e saj, të cilat ende nuk e ka menduar se ku do i çojë.

Mbrëmjen e kaluar ajo është strehuar te fqinjët, ndërsa sot nuk e di ende se ku do të shkojë.

Lirie Muça: Na kanë mbajtur komshinjtë, nuk kemi fuqi më. Me tension, jemi shumë të lodhur. Ku do të shkojmë? Në rrugë të madhe. Jam 60 vjeçe, as në punë nuk jam, as në punë nuk më merr kush. Ku do të shkojmë ne?

Banorët tregojnë se shembja e banesave për ti hapur rrugë Bulevardit i shërben popullsisë, por nxjerr në rrugë të madhe disa të tjerë.

Banori: Nga ALUIZNI ka ardhur skualifikimi, unë kam 15 vjet që jam në proces legalizimi. Kjo është absurde, katastrofë. Merr ti një vendim për interes të publikut dhe mua më shkatërron fare.Po taksat e mia ku shkojnë?

Ata shprehen të vendosur të mos pranojnë banesat sociale.

Banori: Më mirë do të jetoj me plastmas diku sesa të shkojmë në banesa sociale.Për banesa sociale ka njerëz sa të dojë Bashkia që aplikojnë.

Lirie Muça: Kur kisha timen pse të shkoj atje, nuk kam lekë të paguaj.

Janë edhe 31 shtëpi në këtë zonë, që pritet të shemben në sajë të lotit të tretë të projektit të Bulevardit të ri.