Me thirrje e duartrokitje është pritur para gjykatës ish-deputeti i PD-së Bardh Spahia i cili do të njihet sot me masën e sigurisë nga Gjykata e Shkodrës pasi akuzohet për ngjarjet e ndodhur në KZAZ, ku iu vu flaka materialeve zgjedhore.
Qindra mbështetës janë mbledhur para gjykatës, ku gjithashtu ka një numër të madh efektivësh të policisë.
Me nisjen e seancës, ish-deputetit Bardh Spahia i është komunikuar akuza, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Prokuroria ka deklaruar se disponon prova e pamje filmike që tregojnë se Spahia ka qenë aktiv gjatë përplasjeve në KZAZ dhe nuk i është bindur urdhrit të policisë.
Më pas Spahia ka marrë fjalën dhe ka deklaruar se arrestimi i tij është një prapaskenë politike.
“Ngjarjet për të cilat po diskutojmë sot. Po bëj një parantezë sot jemi përballë një përplasje të fortë politike e sociale. Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik pronë e bashkisë Shkodër
Për këtë kemi marrë informacion nga ana e policisë dhe njerëzve të paautorizuar
dhe jemi drejtuar nga pallati i Sportit tek shkolla. Morëm informacion se kishte tension dhe u drejtuam atje për të qetësuar situatën.
Duke kërkuar qe situata të qetësohej sepse ishte e tensionuar. Materialet zgjedhore ndodheshin në një ambient të pambrojtur dhe aty ka pasur njerëz të paautorizuar. Ne kishim detyrë për të qetësuar njerëzit. Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike. Mendoj që gjykata duhet ta shohë dhe vlerësojë siç duhet dhe bazuar në ligj”, ka thënë Spahia.
Seanca në ngarkim të ish-deputetit zhvillohet me dyer të mbyllura. Spahia ka qëndruar më shumë se 48 orë në izolim, ndërkohë që u ndalua ‘live’ nga policia.
Në mbledhjen e natës së kaluar, pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës, u vendos që të gjithë ish-deputetët do të jenë sot në Gjykatën e Shkodrës për të protestuar kundër ndalimit të tij. Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar qytetarë nga Shkodra kanë protestuar para Policisë së Tiranës aty ku mbahet ish-deputeti Spahia, i arrestuar pas ngjarjeve në KZAZ në Shkodër. Protestuesit kërkuan lirimin e Spahisë dhe personave të tjerë të arrestuar dhe paralajmëruan protesta të përditshme.