Kryetari i PD-së, Lulzim Basha në një bashkëbisedim nga çadra e protestës, deklaroi se data 7 maj do jetë dita kur do rrëzohet Republika e Vjetër.
Basha shtoi se fasadat janë shembur, dhe gjithë bota e di tashmë të vërtetën e qeverisjes në Shqipëri.
Pjesë nga deklarata e Bashës:
Nga honet e errëta të dëshpërimit të induktuar nga krimi, droga dhe arroganca qeveritare, nisi marshimi dhe bashkimi ynë i madh i 18 shkurtit. U mblodhën qindra mijë shqiptarë në këtë shesh, në këtë agorë, deri tek sheshi ‘Skënderbej’, për të marrë një vendim të madh, që koha dhe vuajtjet dhe shpresat e shqiptarëve e thirrën në shesh, vendimin për të mos ulur më kokën para arrogancës.
Për të mos u trembur më nga krimi në pushtet, vendimin për t’i thënë jo republikës Pazar, për të refuzuar komplotin ekonomik e politik që luhet prej 4 vjetësh në kurriz të shqiptarëve, vendimin për të mos zhvilluar zgjedhje fasadë dhe për të mos u bërë alibi e republikës së vjetër dhe për të marshuar drejt një republike të re të qytetarëve shqiptarë të lirë dhe të vendosur në fatin e tyre europian.
Asgjë nuk është më si më parë. U shembën fasadat e vjetra. Bota mbarë i njohu vuajtjet e një kombi të tërë. Sot në takime si ky që sapo mbarova dhe në ato të tjera që kam pasur, ajo që nuk pranohej si e mirëqenë sot është e certifikuar falë këtij bashkimi.
Zëri juaj i bashkuar e vërteta juaj e bashkuar është sot e vetmja e vërtetë që njeh Europa dhe mbarë bota.
E gjithë bota e di siç e dimë ne të gjithë këtu se zgjedhje të lira ku qytetarët mund të shprehin vullnetin e tyre nuk mund të ketë. E gjithë bota e di se krimi dhe droga janë përgjegjësi e qeverisë dhe kryeministrit të fasadës.
E gjithë bota dhe çdo shqiptar e di se zgjidhje mund të vijë vetëm duke marrë në dorë fatin e zgjedhjeve me një qeveri teknike që do të luftojë krimin e drogën dhe mundësojë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë.