“Basha dhe Berisha janë projekte jofituese për vitin 2025”, flet Edvin Kulluri: Ja pse kandidova për kreun e Selisë blu

0
47
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kandidati për kreun e Partisë Demokratike, Edvin Kulluri ka qenë i ftuar në një intervistë për Fax News, ku ka folur për situatën e vështirë ku po kalon PD sot përshkak të përplasjes Basha-Berisha. Kulluri thotë se rikthimi në vitin 2013, apo vazhdimi me një ‘dështak serial’ si Lulzim Basha, janë të dyja projekte jofituese për vitin 2025, duke kërkuar në këtë mënyrë largimin edhe të Lulzim Bashës por edhe të ish-Kryeministrit Berisha.

Ndër të tjera, Edvin Kulluri u shpreh se ai shpalli kandidaturën për kreun e Partisë Demokratike për t’i dhënë seriozitet përpjekjes së tij 5-vjeçare për demokratizimin e PD-së.

Edvin Kulluri: Në vitin 2005 nuk e gjeta veten në pushtet brenda natës. Kisha vite që shkruaja. Ato vite kanë qenë të mira. Janë bërë reforma të rëndësishme, shumë të mëdha. Fatkeqësisht me ardhjen e z.Basha janë konsideruar si rraqe që duhet të hidhen tutje. Këtu ka qenë një nga momentet kur unë jam ndarë përfundimisht me z.Basha, për mënyrën si ka folur pa respekt për PD-në. Ka qenë fyese për mundin e djersës. Nëse ai nuk ka respekt per vitet kur ai u formua si politikan, është punë e tij. Nëse zoti Berisha e kaloi me heshtje këtë fyerje që i ka bërë Lulzim Basha historisë së PD-së, unë nuk jam tërhequr në asnjë moment nga mbrojtja e asaj periudhe. Duhet të pranojmë që në ato vite pati korrupsion. Ja kam thënë në vitin 2016 zoti Basha kokë më kokë që nuk kemi rrugë tjetër dhe nuk më dëgjoi. Z.Berisha e ka lexuar fjalimin tim në vitin 2018 por nuk e mbështeti. Të jesh i djathtë do të thotë i pari të kesh respekt për traditën.

Të jesh dyshues ndaj të resh, jo çdo gjë e re është e mirë. Në të gjithë këtë paçahurë politike, z.Berisha dhe shumë të tjerë në Foltore kanë heshtur. Nëse do të bësh politikë duhet të besosh në çdo çmim te idetë dhe parimet e tua. Nuk më rezulton të ketë ndodhur me ata që sot kërkojnë me të drejtë largimin e Bashës. Të ishte për mua, z.Basha do të kishte fluturuar nga karrigia e PD-së në vitn 2017. PD nuk mund të vazhdojë të jetë arenë xhoglerash. Idetë nuk janë topa që hidhen në ajër. Kandidatura që kam shpallur merr vetëm një kuptim, për t’i dhënë seriozitet kësaj perpjekje 5-vjeçare për të demokratizuar partinë dhe për ta futur në  shina të qarta ideologjike. Rikthimi te humbja e 2013-tës apo vazhdimi me një dështak serial si Lulzim Basha janë projekte jo fituese për vitin 2025. Këtë do ta thoja dhe nëse nuk do kandidoja vetë.

Zjarr Tv Ad