Basha dhe Memushaj, konferencë për shtyp

0
5

Futbollistët e kombëtares, Migjen Basha dhe Ledian Memushaj, kanë dalë në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjeve kualifikuese të EURO 2020, më 22 mars ndaj Turqisë në Shkodër dhe 25 mars në Andorra.

Migjen Basha në fjalën e tij u shpreh: “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe po përgatitemi seriozisht, duke i dhënë seriozitetin maksimal ndeshjes së parë. Edhe në Euro 2016 shkuam pasi morëm një fitore në ndeshjen e parë në Portugali. Është e vështirë, pasi kemi një kundërshtar shumë të fortë, por do të luajmë për 3 pikë. Shanset për kualifikim janë për të gjithë skuadrat, pasi futbolli ka ndryshuar dhe nuk ka shumë diferencë mes ekipeve. Nuk duhet të nënvlerësojmë as ndeshjen ndaj Andorrës, pasi nuk mund të fitojmë me lehtësi. Na duhet edhe pak fat, por duhet të bëjmë më mirë, sepse më keq nuk mund të bëjmë me rezultatet. 

Konkurrencë e madhe në skuadër? Konkurrenca është gjithmonë e mirë dhe pozitive për çdo skuadër. Abrashi luan në Bundesligë, ndërsa Kaçe prej vitesh në Greqi, pastaj jemi edhe ne pleqtë, unë e Memushaj, por konkurrenca është pozitive. Ne kemi disa vite këtu dhe gjithmonë jemi sjellë në mënyrë korrekte, duke pranuar çdo vendim të trajnerit. Ne nuk presim të na sjellë kombëtarja klube si Reali apo Barça, por jemi vënë në dispozicion, që ta çojmë sa më lart emrin e saj.Duhet t’i ndihmojmë djemtë e rinj që janë në skuadër, duke u sjellë shumë me pozitivitet që në grumbullimin e parë, por edhe në vijim, në stërvitje e ndeshje. Synimi është t’u mësojmë disiplinën dhe motivimin tonë kur luajmë për këto ngjyra, pro edhe t’i inkurajojmë kur gabojnë.”

Ledian Memushaj theksoi: “Dua të impenjohem dhe të jap më të mirën, për të çuar sa më lart Kombëtaren. Është gjë pozitive kur lojtarët kanë luajtur shumë dhe kanë formë të mirë fizike, por kemi edhe mungesa. Megjithatë ne duhet të përqendrohemi të japim më të mirën dhe ta nisim me këmbën e mbarë. Kemi bërë paraqitje të mira, por edhe negative, megjithatë duhet të shohim përpara, për të bërë mirë në këtë edicion që po starton. 

Rikthimi i Sadikut? Më vjen mirë që është rikthyer, pasi ka kaluar një dëmtim shumë të rëndë, të cilin e kam përjetuar edhe vetë. Armandon e kam shok dhe e njoh mirë, por edhe Balaj kur ka qenë në fushë,ka bërë më të mirën, ndaj nuk përbën problem se kush e nis nga fillimi. Ne duhet të mendojmë fillimisht vetëm për Turqinë, që është një ndeshje shumë e vështirë, pastaj do të kemi dy ditë të mendojmë për Andorrën. I kemi mundur në miqësore, por këtu është ndryshe, ndaj duhet një impenjim edhe më i madh.”