Pasi kryedemokrati Basha shkarkoi Flamur Nokën, nga funksioni i Nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë, Noka u shpreh se ky vendim vjen si pasojë e qëndrimeve të tij dhe ishte i pritshëm nga dikush që shkarkoi dhe Berishën.
Noka tha për “Fax News”, se nuk e shqetëson aspak ky vendim pasi Basha i ka kërkuar të heshtë dhe se ai nuk mund të jetë dakord me “p*ushkatimin” e partisë nga Rama. Arsyeja e këtij vendimi sot sipas Bashës është se Noka ka përbaltur Kryetarin e Partisë Demokratike, duke sajuar gjëra të paqena sajesa të përsëritura.
“Çështje ditësh, do ikë vetë. Dhe në këto ditë përpëlitje, ai merr këtë vendim. Do ikë se s’mund ta mbajë PD-në peng. Ai përjashtoi Sali Berishën, jo më…e kuptoni tani. Ai është peng. Kjo vjen si pasojë e reagimeve dhe qëndrimeve të mija, unë nuk mund të pranoj kurrë që partia ime të pushkatohet dhe të shkelet me këmbë nga Rama. Hapat e nevojshëm janë për të bashkuar partinë dhe për të larguar pengmarrësit”, deklaroi Noka.
Shkarkimi i Nokës, vjen vetëm një ditë para se Sali Berisha të mbajë Foltoren e radhës në Kukës, vendlindja e Flamur Nokës.
Dy ditë më parë, Flamur Noka u shpreh se 80% e anëtarësisë është kundër vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar, duke shtuar se kreu i PD-së po i bën shantazh anëtarësisë, që të mos presin në takime Berishën dhe që të mos firmosin për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.