Teksa zhvillimet brenda PD-së janë të vrullshme, ku ditë pas dite bëhen edhe më të qarta ndarjet mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, dhe njerëzve rreth tyre, sytë janë kthyer nga mbledhja e mundshme e Kuvendit Kombëtar, e paralajmëruar nga ish-kryeministri në datën 11 Dhjetor. Sipas Berishës, Kuvendi do të shërbejë për të shënuar pikën e kthesës në ringritjen e PD-së, dhe vazhdimisht nga takimet e foltores së tij iu ka bërë thirrje delegatëve që të marrin pjesë.
Që Kuvendi të mund të mblidhet, duhet firma e të paktën 1/4 të anëtarëve, dhe paralelisht me fotloren, Berisha po i mbledh dhe këto firma, që sipas eksponentëve të ndryshëm do të duhet të jenë dhe të noterizuara. Pikërisht për të mësuar rreth këtij procesi të mbledhjes së firmave, dhe sa ligjore është kjo, kreu aktual i PD Lulzim Basha ka thirrur në një takim Edi Palokën, kreun e këshillit kombëtar të PD.
Ky i fundit i pyetur nga Fax News ka pranuar kafen me Bashën, por ka preferuar që të mos e konfirmojë temën e diskutimit. Ai në njëfarë mënyre as i ka pohuar, dhe as i ka mohuar zërat që kanë qarkulluar në media, që Basha ka pasur interes për procesin e mbledhjes së firmave.
“Po është e vërtetë që më ka kërkuar që të takohemi, nuk ka asnjë sekret, se kanë qenë dhe gazetarët aty. Se çfarë është biseduar nuk e kam bërë publike, dhe nuk ia kam thënë as ndonjë gazetari privatisht”, ka thënë Paloka për Fax News.
Paloka ka insistuar që të mos bëjë komente të mëtejshme për atë që po ndodh brenda PD-së, ndërkohë që vetë ai ka dalë publikisht në mbështetje të ish-kryeministrit Sali Berisha. Mbledhja e Kuvendit Kombëtar të PD-së duket se do të jetë çështja më e rendësishme e muajit të ardhshëm, ku pikëpyetjet janë nëse PD zyrtare do ta njohë votimin e tij, apo do të gjenden artifica statutore që nisma e Berishës, të paktën ligjërisht të rrëzohet