Lideri i PD-së Lulzim Basha, ka hedhur votën e tij sot në njësinë nr. 8 në Tiranë, për përzgjedhjen nga baza të kandidatëve për deputet, duke e cilësuar këtë proces si shtylla e programit politik të opozitës, në qeverisjen e nesërme. Gjithashtu Basha i është përgjigjur dhe deklaratave të djeshme të Ramës, i cili ironizoi procesin e votimit për përzgjedhjen e kandidatëve më pak të preferuar, të demokratëve në të gjithë vendin.
“Ky proces, në gjithë Shqipërinë përfundon dhe kulmon në Tiranë, pjesëmarrja masive është tregues i qartë i vendosmërisë tonë, që do të bëjmë realitet mes radhëve tona, atë që do bëjmë në të gjithë Shqipërinë.
Procesi i përfshirjes dhe demokratizimi i PD-së, do të vazhdojë të jetë shtylla e programit tonë politik, që vota e çdo qytetari të ketë peshën e saj dhe qeveria e ardhshme, të mos jetë peng i një grushti njerëzish, të pasuruar në bashkëpunim me një qeveri që vjen nga një parti, që ka frikë dhe votën e vetë anëtarëve të saj.
Ndërsa në lidhje me ironinë e kryeministrit Rama, lideri i PD-së u shpreh:
“Mos prisni që ai të lavdërojë një proces demokratik, prej 22 viteve nuk i bindet garës, nuk organizon garon dhe ai mbajti 3 orë një fjalim, për të mos u marrë me njerëzit që janë në listën e zezë të SHBA si Vangjush Dako”.