Basha konfirmon pjesëmarrjen në tubimin e Presidentit me 2 mars

0
43

Opozita mobilizohet për t’ju bashkuar tubimit të thirrur nga presidenti Ilir Meta me 2 mars, ora 17:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaroi hapur nga Shkodra se mbështetësit e kësaj partie do të jenë në tubim, edhe kreu i PD-së Lulzim  Basha  mësohet se u ka dërguar mesazh krerëve të degëve të partisë ku konfirmon pjesëmarrjen dhe u kërkon të organizohen.

“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje të Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën”u  shkruan Basha degëve të PD-së duke dhënë edhe dy porosi.

Së pari mesazhi duhet të shpërndahet tek të gjitha strukturat e partisë.

Dhe së dyti, mbi këtë çështje do të kenë gjatë ditës bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të PD-së, për masat organizative.