Kryedemokrati Lulzim Basha gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka qenë i ashpër, ku i ka kujtuar maxhorancës përgjimet e Zërit të Amerikës.
Ai deklaroi se mediat ndërkombëtare dhe “Zëri i Amerikës”, demaskuan vjedhjet dhe blerjen e votave dhe se si kjo shumicë ha e pi me kriminelët, duke filluar me Kryeministrin.
“Më shumë rrinte me Ymer Lalën se sa me ish-ministrin e Financave (Arben Ahmetaj). Flisni këtu për kod etike, keni marrë Shqipërinë peng, parlamentin peng! E keni mbushur Shqipërinë me kukulla. Vidhni për kryehajdutin, por kryehajduti nuk vjen! E ka parë gjithë bota, e di gjithë bota si e keni marrë pushtetin në 2017! E morët me pazaret me krimin, se kur e lidh fatin me kriminelët s’të bëhet vonë për popullin. Kur e lidh fatin me Dritan Dajtin e Emiljano Shullazin s’të bëhet vonë për banorët”, u shpreh Basha.
Ai tha se zgjidhja mund të vijë përmes dhënies fund të shfaqjes së kukullave, duke i dhënë fund kësaj qeverie dhe duke i hapur rrugën një qeverie kalimtare të përgatisë një proces zgjedhor “për një parlament të vërtetë dhe jo me kukulla”.
Sipas tij, në të kundërt parlamenti do fshihet me forcën e sovranit, “tik- tak, po afron ora, thirrini mendjes. Edi Rama është arkitekti, ai është padroni i Vangjush Dakos, Damian Gjiknurit, ndaj ndërpritni seancën!”