Basha me banorët e prekur nga tërmeti në Manzë: Jetojnë në kushte mizerabël

0
8

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka qenë pranë banorëve të prekur nga tërmeti në zonën e Manzës. Ai thotë se ata jetojnë në çadra në kushte jo të mira, ndërsa thekson shqetësimin e tyre, të cilët ndihmën të diskriminuar, pasi nuk u është siguruar strehim njesoj me disa familje te tjera.

Lulzim Basha: Me dhjetëra familje, fëmijë të mitur, të sëmurë e të moshuar jetojnë në kushte mizerabël në një kamp çadrash të mbytura në baltë në Manzë. Banesat e tyre u dëmtuan rëndë nga tërmeti duke i lënë në qiell të hapur. Shumë prej tyre u zhvendosën në çadra që nuk pengojnë dot shiun dhe të ftohtin. Përveçse në kushte të rënda, ata ndihen të fyer dhe të diskriminuar. Sipas tyre disa familje janë strehuar në kontenierë, ndërsa të tjerë me fëmijë disa muajsh dhe të sëmurë janë lënë në çadra, ku shiu dhe balta ka përmbytur dhe ato pak gjëra që kanë. Përveç braktisjes, këta banorë po përballen çdo ditë edhe me trajtim të diferencuar. Është kriminale të bësh dallime të tilla mes njerëzve të goditur njësoj e pa dallim nga tragjedia. Duhet urgjentisht që banorët që janë në kampin e llucës të strehohen në konteinerë ose në shtëpi me qera.

Zgjidhja thotë Basha është vlerësimi i shpejtë dhe lëvrimi i parave për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara.

Lulzim Basha: Zgjidhja është vlerësimi i shpejtë dhe real i dëmit të shkaktuar dhe lëvrimi i parave tek qytetarët për rikonstruksion apo rindërtimin e shtëpive. Është kriminale që qytetarët të kalojnë ditët dhe netët në shi, baltë, të ftohtë, pa ushqime, pa ngrohje, ndërsa 10 oligarkë të marrin 150 milion dollarë nga paratë e tyre. Dështimi për të vepruar nga ana e shtetit po shton dhimbjet dhe vuajtjet. Duhet menjëherë të përcaktohen fondet dhe të nisë financimi i nevojave të mijëra familjeve të mbërthyera në këtë emergjencë që sa më shumë zgjatet aq më shumë thellohet.