Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka folur për mediat pas takimit me zv.kryeministrin shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Basha u shpreh se së bashku me politikanin Abazoviç diskutuan në lidhje me integrimin në BE dhe zhvillimin ekonomik mes dy vendeve.
Sipas kryedemokratit përkushtimi i Abazoviç bën diferencën e dëshiruar prej dekadash për shqiptarët dhe të gjithë qytetarët që ndodhen në Mal të Zi.
“Kam një kënaqësi unike, kënaqësinë e mikpritjes së zv.kryeministrit shqiptar të Malit të Zi, Dritan Abazoviç. Karriera politike e tij është ndërtuar mbi përvojën e gjatë të një aktivisti, të një studiuesi dhe përpiluesi të tezave politike për Ballkanin, Evropën dhe globalizmin dhe është faktuar në luftën e pabarabartë midis forcave për liri dhe rrezikut të autokracisë.
Është një kënaqësi e veçantë, sepse interesi i PD dhe i imi personal për fqinjin tonë verior e në veçanti për bashkëkombasit tonë në Malin e Zi ka qenë dhe mbetet permanent, dhe gjatë bisedës së sotme konstatova se përkushtimi i Abazoviç bën diferencën e dëshiruar prej dekadash nga shqiptarët aty, por edhe nga PD qoftë në qeverisje apo në opozitë.
Temat tona të diskutimit kanë variuar nga demokracia te politikat reale, zhvillimi i popujve tanë dhe integrimi në BE i dy vendeve tona. Abazoviç është një etalon i guximit”, u shpreh Basha.
Pas Bashës fjalën e mori zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, i cili u shpreh se gjatë takimit me liderin e PD kanë diskutuar gjëra konkrete dhe sfida të cilat janë pak a shumë në të gjitha shtetet e Ballkanit.
“Tregoj një kënaqësi të jashtëzakonshme, unë kam ardhur për një viztitë zyrtare në Tiranë dhe jam shumë krenar që jam zyrtari i parë i qeverisë re që vij për vizitë zyrtare në Tiranë. Por kam qef që të takoj çdo subjekt politik, i cili ka të bëjë me atë çka duhet të jetë ndryshimi i Shqipërisë në të ardhmen. Lideri i opozitës më ka pritur sot në selinë blu.Kemi biseduar gjëra konkrete sfidat të cilat i kemi pasur në Mal të zi dhe janë pak a shumë të njëjta me shtetet e Ballkanit.
Ekziston një mungesë e traditës demokratike në këto treva dhe se të gjithë së bashku duhet të shkojmë në drejtim të ndryshimeve dhe formave, duhet të përshtatemi normave europiane. Besoj se koha është për një frymë të re europiane në të gjitha trevat tona. Jemi dakortuese me Malin e Zi dhe deri më tani çdo gjë ka funksionuar në mënyrë të mirëfilltë dhe shumë paqësore, vllazërore.
Jam shumë i kënaqur që sot vizitova të gjitha subjektet politike dhe këtu përfundohet vizita ime për sa i përket Tiranës. Unë e kam ftuar zotin Basha, kryeministrin presidentin Meta pasi çdokush është i mirëpritur në Malin e Zi. Të ulim tensionet dhe të gjithë së bashku të punojmë në të mirën e dy popujve”, tha Abazoviç.