Basha: Pikat kryesore të fazës së parë për nxjerrjen e shëndetësisë nga kriza

0
27
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Lulzim Basha

Oferta jonë programore është në zhvillim. Përbën angazhimin tonë për ta nxjerrë shëndetësinë nga kriza dhe për të nisur një ofertë dinjitoze për pacientët shqiptarë dhe familjarëte tyre. Pa zgjidhur shëndetësinë nuk mundtë kemi ambicie të tjera.

Rritja e financimit dhe mirëmenaxhimi i fondeve do të nisë me anulimin e të ashtuquajturave koncesione. Akti i anulimit të tyre do të jetë ndër aktet e para të qeverisë sonë. Çlirimi i mbi 35 milionë eurove në vit, që sot, në emër të buxhetit për shëndetësinë përfundojnë në 3-4 duar dhe bashkëndahen me pushtetarët e korruptuar, do të jetë mundësi e mirë për të nisur ekzekutimin e politikave tona.

Profesionalizmi dhe rikonceptimi i sistemit. Që rritja e financimit shëndetësor, jo vetëm përmes anulimit të koncesioneve, por edhe rritjes së kontributit të taksimit universal për buxhetin e shëndetësisë të japë rezultatet e duhura, duhet të kemi një rikonceptim total të institucioneve të kujdesit shëndetësor. Koncepti i spitalit sipërmarrje, kujdesi shëndetësor parësor në shtëpi, shëndeti përmes mjekut të familjes-profesionist lirë, janë disa nga konceptet qe duam të diskutojmë më korpusin e profesionistëve dhe administratorëve të shëndetit publik. Këto ndërhyrje, sipas nesh, janë esenciale për të rritur cilësinë e kujdesit shëndetësor dhe për të eliminuar korrupsionin dhe keqpërdorimin e tyre politik sot apo nesër.

Spitali autonom të bëjë të mundur që të mos mungojnë asnjëherë barnat, analizat laboratorike apo ekzaminimet, një nga mangësitë që e bartim edhe nga koha e qeverisjes sonë.

Nëse hedhim këto tre hapa, financimi, autonomia, dhe profesionalizimi, do të mundësojmë që shqiptarët të mos blejnë më barna nga xhepi, të mos paguajnë bakshishe nën dorë. Do të mundësojmë një mjedis të qetë pune për profesionistët e shëndetësisë, mjekët dhe infermierët.

Kjo mënyrë e re e funksionimit të spitaleve, ku do të krijohen të tjera marrëdhënie midis spitalit, mjekut dhe personelit shëndetësor, përveç kontratave me kohë të plotë, do të ketë edhe mjekun e familjes profesionist të lirë dhe do të bëjë të mundur që, të paktën në fazën e parë, ne të jemi në gjendje të zbatojmë angazhimin tim dhe të PD që pagat e personelit shëndetësor të rriten në mënyrë të menjëhershme me 1200 euro për mjekët dhe 700 euro në muaj  për infermierët, si një masë e domosdoshme për të nisur kontrollin e largimit masiv të personelit shëndetësor dhe pasojat që sjell për pacientët.

Për këtë duhet një ndarje e qartë e roleve në sistem.

Nëse kryeministri ose ministri i shëndetësisë sillet si drejtor i QSUT, gjërat do të shkojnë keq e më keq. Nëse drejtori i QSUT përzgjidhet për shërbimet politike ndaj kryeministrit, asgjë nuk do të funksionojë.

Qeveria dhe ministria janë politikëbërëse.

Sigurimet shëndetësore janë financuese të shërbimit.

Ofruesit e shërbimit janë institucione autonome.

Do të marrë fund praktika – qëka vetëm një arsye, korrupsionin dhe vjedhjen- që ministria të vendosë se çfarë shërbimesh do të ofrojnë spitalet, të kryejë tenderat për barnat dhe të japë koncesionet korruptive klientëve politikë të radhës. Kjo nuk ka për të ndodhur më!

Gjithçka që ka ndodhur deri tani do të zhbëhet dhe përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Nuk do të ketë pandëshkueshmëri dhe as harresë dhe as gëzim të fryteve pasurore korruptive për askënd që ka qenë pjesë e këtyre aferave korruptive në kurriz të të sëmurëve shqiptarë dhe familjarëve të tyre.

Liberalizimi i tregut të sigurimeve shëndetësore-garanci për cilësinë-fund korrupsionit

Sa i përket financimit që përbën edhe pjesën kryesore të ndërhyrjes, propozimi është që dy kolonat kryesore, atë të mbledhjes dhe shpërndarjes së fondeve sipas nevojave të pacientëve, ta bëjë përmes forcimit të skemave të sigurimeve shëndetësore, duke kthyer pagesat nga xhepi në kontribute shëndetësore.

Fakt është që, sipas matjeve, shqiptarët paguajnë për kokë për shëndetësinë më shumë se qytetarët e Maqedonisë së Veriut, po të llogarisësh taksimin universal, sado i ulët, 2.1%, pagesat që bëjnë për spitale private, biletat e avionit dhe hotelerinë jashtë vendit, po t’i mbledhësh të gjitha bashkë, çdo qytetar paguan më shumë mesatarisht se një qytetar i Maqedonisë së Veriut, ku ndryshimi në cilësinë e shërbimit është i dukshëm.

Motivimi i qytetarëve për të kryer sigurimet shëndetësore do të bëhet duke liberalizuar tregun e sigurimeve shëndetësore, duke ofruar paketa sipas nevojës së pacientëve, duke hequr monopolin e blerësit të vetëm dhe duke formuar tregun shëndetësor në vend.  Kjo është përqasja realiste europiane, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund motivimeve për korrupsion kapilar në sistemin e shëndetësisë.

Ka kategori vulnerabël që do të mbulohen nga buxheti i shtetit. Solidariteti shoqëror është element i pandashëm i çdo politike që ne kemi propozuar.

Kjo do të thotë që brenda mandatit tonë të parë ne zotohemi që përqindja e buxhetit të dedikuar për shërbimet shëndetësore ndaj qytetarëve shqiptarë, do të barazohet ose do të tejkalojë përqindjen që sot shpenzohet nga Maqedonia e Veriut. Nuk ju premtoj as Zvicër, as Itali, as Gjermani, por kjo përqindje do të arrihet. Nuk ka asnjë pengesë, përveç mungesës së vullnetit, apo ta themi më troç, projektit kriminal për të vjedhur të sëmurët shqiptarë.

Frenimi i shpopullimit të sistemit shëndetësor

Mjekët dhe infermierët, që po bëhen me shpejtësi grupi shoqëror më fluent në gjermanisht, është një problem që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë të jetë edhe më kërcënues, nëse ne nuk veprojmë. Gjermania dhe Italia sot janë në nevoja të jashtëzakonshme për personel të kualifikuar shëndetësor.

Çfarë do të bëjmë?

Do t’u marrim pasaportat mjekëve? Do të bëjmë kontrata fiktive, të parealizueshme? Do t’u çojmë përmbarimin në Mynih, Dyseldorf apo Vjenë? Ne nuk mund ta ngrijmë tregun, se ky është një fenomen edhe në vendet e zhvilluara, por mund ta përdorim që, nga një spirale që shkon poshtë e më poshtë, ta kthejmë në një mundësi. Duhet të kuptojmë se nuk e përballojmë dot shëndetësinë me numrin e të diplomuarve për vit.

Kjo është emergjenca e parë. Dyfishim, trefishim, katërfishim të numrit të studentëve të mjekësisë, që do të kërkojë rritje të kapaciteteve të Fakultetit të Mjekësisë. Çfarë e pengon qeverinë e nesërme të investojë që, në vend të 150 të diplomuarve në vit, të jenë 300 apo 450, që të stimulojmë sa të mundemi, edhe përmes pagave, mbajtjen e mjaftueshme të personit shëndetësor për nevojat tona?

Dhe përmes reformës dhe liberalizimit të tregut të sigurimeve shoqërore, të autonomisë së spitaleve publike dhe të synojmë atë që sot mund të duket e pamendueshme, por që ekonomikisht është e arritshme, rroga të barabarta e kolegët në vendet e zhvilluar në BE.

Çfarë frenash ka kjo ambicie përveçse mungesës së vizionit, mungesës së vullnetit, sepse qeveria e ka mendjen për të vjedhur. Nuk ka asnjë pengesë tjetër.

Objektivi ynë duhet të jetë që brenda 5 viteve Shqipëria jo vetëm të japë shërbime shëndetësore cilësore për qytetarët e saj, por të synojë që të ofrojë bazat e turizmit shëndetësor. Kur e bëjnë vende me një situatë shumë më të dëshpëruar se kjo e jona, republikat e Kaukazit, nuk ka pse të mos e bëjë Shqipëria, një orë nga Mynihu, një orë nga Roma, 1 orë nga Vjena, në zemër të Europës.

Kjo duhet të jetë ambicia jonë. Nuk mund të pranojmë viktimizimin nga kjo qeveri të mjekëve, të infermierëve, të pacientëve, të familjarëve të tyre. Ne duhet të mendojmë të ardhmen, nëse hedhim këto hapa, e nesërmja është plot me shpresë dhe me dritë. Është plot me potenciale dhe mundësi.

Barnat dhe cilësia e tyre

Këtu duhet të ndiqen disa parime të qarta e të thjeshta. Çfarë është një medikament i certifikuar në BE, SHBA, Japoni, në Australi, është një medikament i certifikuar në Shqipëri. Origjina e sigurtë është i vetmi instrument për të mbrojtur shëndetin e pacientëve.

Kjo është oferta jonë për ta nxjerrë shqiptarin nga ankthi se mos medikamenti që ka blerë është false apo akoma më keq i dëmshëm për shëndetin.

Eliminimi i barnave klienteliste, rritja e numrit të barnave të rimbursueshme, me synim afrimin me mesataren europiane, është një tjetër angazhim programor i PD.

Zjarr Tv Ad