Kreu i PD-së Lulzim Basha ka prezantuar programin e Partisë Demokratike për pronat.
Gjatë fjalës së tij, ai tha se pas 25 Prillit, ndjesën për problemet e pazgjidhura do ta kthejnë në angazhime konkrete përmes një kuadri të ri ligjor.
Basha theksoi se prona, liria dhe familja janë themel i një shoqërie që do të na afrojnë më shumë me Bashkimin Europian.
“Unë ju siguroj sot se pas 25 Prillit qeveria e zgjedhur me votën tuaj do të kemi vullnetin që ndjesën ta kthejmë nga angazhime konkrete. Unë nuk kam bërë premtime të parealizueshme por vetëm ato që e dimë që me vullnet politik do të kryhen. Do të ishte tërësisht e pasinqertë t’iu thoja që ndjeshmëria ndaj pronës, mungon në këtë parti, pasi shumica dërrmuese ndajnë me pronarët ndjesmërinë. Ne ndajmë si formacion politik disa vlera themelore. Janë tre shtylla kryesore të besimit të parimeve të themeleve të Partisë Demokratike.
Vlera e parë është vlera e patjetërsueshme e pronës. Ne besojmë te prona si themel i organizimit të shoqërisë. Familja, prona dhe liria janë themel i një shoqërie, tre shtylla rreth të cilave është krijuar themeli i BE të cilës duam t’i afrohemi. Prona dhe liria janë të lidhura.
Ne do të aprovojmë ligjin aktual të pronave dhe aktet nënligjore në fuqi dhe do hartojmë një kuadër ligjor që i jep zgjidhje problemit të pronësisë. Kuadri i ri do të jetë guri i themelit mbi të cilit do të ngrihet trajtimi nga qeveria. Kuadri ligjor do të ketë prioritet kthimin e pronës, kompensimin fizik, garantimi dhe respektimi i titujve të pronësisë, përfshirja në fondet e kompensimeve fizike. Kërkesat e reja do të trajtohen në frymën e ligjit të ri”,- tha Basha.