Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha ndër të tjera nga takimi me fermerët në Devoll, se Rama siç përcakton tenderat për miqtë, ashtu përcakton edhe gjyqtarët pa garë në Gjykatë Kushtetuese me Dvoranin e tij të korrupsionit.
‘Shikoni tenderat që janë pa konkurrencë, sepse janë paracaktuar ata që do t’i fitojnë me çmimin maksimal dhe masi i marrin me çmimin maksimal e rrisin edhe më shumë vlerën e kontratës. Kush paguan? Ju paguani. Shqiptarët paguajnë.
Njësoj siç paracakton tenderat, paracakton edhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, pa garë, ata që do Ardian Dvorani, simboli i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, vegla dhe masha e Edi Ramës që nuk do të lërë institucion pa kapur sepse ai e ka jetike t’i kapë institucionet.
Nëqoftëse institucionet funksionojnë i pari që duhet të shkojë për ndjekje penale, për dhjetëra vepra penale është Edi Rama dhe gjysma e kabinetit dhe ish-kabinetit të tij qeveritar.
Prandaj ai e ka jetike të kapë drejtësinë, të bllokojë reformën në drejtësi, prandaj ai cakton si kukulla prokurorë, gjyqtarë, Gjykatë Kushtetuese.
Paligjshmëria dhe padrejtësia prodhojnë vetëm varfëri dhe mjerim.
Zgjidhja e vetme janë zgjedhjet dhe kthimi i legjitimitetit të parlamentit’- tha Basha.