Basha thirrje shqiptarëve të Preshevës: Regjistrimi i popullsisë, kundërpërgjigja më e mirë për politikat diskriminuese të Beogradit

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ditën e nesërme nis regjistrimi i popullsisë në Serbi. Mes politikanëve të shumtë shqiptarë, edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha përsërit thirrjen për pjesëmarrje masive të shqiptarëve.

Basha shkruan në një postim në Facebook, se regjistrimi është kundërpërgjigja më e mirë e shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, ndaj politikave diskriminuese të Beogradit.

Kujtojmë se prej më shumë se një vit tashmë, autoritetet në Serbi kanë nisur një fushatë në zonat e banuara nga shqiptarë, për pasivizimin masiv të adresave, çka përfaqësuesit shqiptarë e kanë denoncuar duke e quajtur si “gjenocid të heshtur”.

Reagimi i Bashës:

Të dashur motra dhe vëllezër të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nesër nis regjistrimi i popullsisë dhe kombësisë në komunat tuaja.

Sot thirrja ime vëllazërisht është për të gjithë shqiptarët që jetojnë në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, që të bëjnë gjithçka për të regjistruar veten e familjarët e tyre.

Regjistrimi juaj është kundërpërgjigja më e mirë për politikat diskriminuese të Beogradit ndaj shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Përmes regjistrimit tuaj dhe të familjarëve tuaj, ju jepni kontributin tuaj të pazëvendësueshëm për të ndalur efektet e projektit të spastrimit etnik përmes pasivizimit të adresave.

Në këtë mënyrë ju i dëshmoni botës realitetin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, përkundër përpjekjeve të mbrapshta për ta zhbërë atë.

Ndaj është e një rëndësie vendimtare dhe përgjegjësi e lartë kombëtare që çdo shqiptar i Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që jeton në këto komuna, në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut apo diasporë, të bëjë gjithçka për t’u regjistruar.

Zjarr Tv Ad