Kreu i PD, Lulzim Basha i ka akuzuar disa herë diplomatët e huaj për përkrahje të pozicionit Kryeministrit Rama për reformën në drejtësi, por asnjëherë më parë nuk kishte folur si këtë të mërkurë në çadrën e protestës për çështjen e vettingut.
“Edi Rama komploti është zbuluar. Projekti i vettingut është një projekt mafioz ku janë përfshirë diplomatë të lartë në Tiranë për llogari të Edi Ramës, kanë marrë peng ekspertë të BE-së. Bashkëkomplotistët e t’u janë dekonspiruar dhe i pret gjykimi në institucionet ndërkombëtare”, thotë Basha.
Lulzim Basha nuk përmendi emrat e diplomatëve, por duke e lidhur qëndrimin e opozitës me kanabizimin e vendit, Basha replikoi me raporterin europian për Shqipërinë, i cili ishte kundër krijimit të një qeverie teknike si në Maqedoni.
“Të pranojnë shqiptarët që të shkojnë në zgjedhje me Kryeministrin komandant të ushtrisë së drogës? Kurrë nuk do ta pranojnë. Prandaj miku ynë Knut një të vërtetë ka thënë; asgjë nuk ka të përbashkët me situatën në Maqedoni para zgjedhjeve, sepse këtu është 10, 100 herë më keq”, deklaroi kreu i PD.
Lulzim Basha e cilësoi ofertën e qeverise teknike si një ofertë zemërgjerë në kushtet, kur sipas tij, opozita beson se qeveria nuk i ka shkatërruar bimët narkotike, sipas një procedure të caktuar, por ka bashkëpunuar me krimin për ruajtjen në magazina dhe tunele.
“Dhe jemi në të drejtën tonë të kërkojmë jo vetëm largimin, por arrestimin dhe procedimin e kreut të kësaj masakre”, thotë Basha. A mund të ketë zgjidhje? Mesazhi i Lulzim Bashës ka një kusht të pandryshueshëm.
“Ta harrojë çdokush pavarësisht se nga cila majë e thanës flet, se ne do të tërhiqemi pa largimin e Edi Ramës nga karrigia kryeministrore. Ky është kushti minimal për zgjedhje të lira e të ndershme”, këmbëngul kreu i opozitës.