‘Bashkia e Tiranës s’ka të drejtë pronësie!’ Zbardhet vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar, ja si votuan anëtarët e saj

0
454
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur të plotë vendimin për Teatrin Kombëtar, ku shfuqizoi ligjin special për të dhe pezulloi ndërtimin e teatrit të ri, por la në fuqi shembjen e godinës.

Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

Lidhur me këtë të fundit, Kushtetuesja sqaron mes të tjerash se “Baza ligjore e kësaj VKM-je nuk autorizon kalimin e pronësisë nga Këshilli i Ministrave te njësitë e qeverisjes vendore, por vetëm kalimin në përgjegjësi administrimi. Kjo pasuri duhej të transferohej me ligj dhe jo me VKM.

Bashkia e Tiranës nuk mund të gëzojë të drejta pronësie dhe të vendosë për objekte të kësaj natyre që i kapërcejnë kufijtë e kompetencës vendore”.

Më tej, Gjykata Kushtetuese vijon duke sqaruar se përse Bashkia e Tiranës nuk mund të disponojë pronësinë mbi këtë godinë:

23.1. Bashkia e Tiranës nuk gëzon tagrin ligjor të shprehet për fatin e ekzistencës ose jo të objekteve që lidhen me çështje të interesit kombëtar, siç është Teatri Kombëtar.

23.2. Janë cenuar nenet 112 dhe 118 të Kushtetutës, pasi VKM-ja nr. 377/2018 është një akt i cili nuk ka pasur një autorizim ligjor. Ligjet nr. 8743/2001 dhe nr. 8744/2001, ku është bazuar Këshilli i Ministrave, nuk e autorizojnë atë për të nxjerrë akte nënligjore për pasuri të kësaj natyre. Kalimi i pronësisë së Teatrit Kombëtar duhej të bëhej me ligj dhe jo me VKM.

23.3. Janë cenuar nenet 13 dhe 108 të Kushtetutës që kanë të bëjnë me autonominë vendore dhe decentralizimin, pasi përmes kësaj VKM-je Këshilli i Ministrave ka urdhëruar Bashkinë e Tiranës se si të sillet me pronën të cilën i ka kaluar në pronësi. Gjithashtu, është cenuar edhe parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

23.4. Është cenuar neni 5 i Kushtetutës që ka të bëjë me zbatimin e detyrueshëm të së drejtës ndërkombëtare nga Republika e Shqipërisë.

23.5. Është e papranueshme që dorëzimi i godinave të Teatrit Kombëtar, nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës, në bazë të VKM-së nr. 377/2020 është bërë vetëm me anë të një fletëdaljeje.

Ja cilat ishin vendimet e Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese pranoi pjesërisht kërkesën e presidentit Meta për shfuqizimin e ligjit për “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Gjithashtu është pranuar pjesërisht kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Ministrave për kalimin e pronësisë së Teatrit Kombëtar drejt Bashkisë së Tiranës, por nuk është pranuar kërkesa për rrëzimin e vendimit të Këshillit Bashkiak për shembjen e godinës së ‘Teatrit Kombëtar’.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e të gjitha akteve të rrëzuara deri në hyrjen në fuqi të vendimit të saj, që finalizohet me botimin në fletoren zyrtare.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike të datave 03.06.2021, 15.06.2021 dhe 16.06.2021 çështjen me kërkues Presidentin e Republikës së Shqipërisë, me objekt:

– Shfuqizimi i ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”” (ligji nr. 37/2018), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”(VKM nr. 377/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

– Shfuqizimi i vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar” (VKB nr. 50/2020), si i papajtueshëm me Kushtetutën.

– Pezullimin e zbatimit të këtyre akteve deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se:

– Ligji nr. 37/2018 cenon:

Lirinë e veprimtarisë ekonomike të sanksionuar nga neni 11 i Kushtetutës në raport me nenin 17 të saj;

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës në raport me nenin 3 të saj, në drejtim të procesit të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare nga institucionet përkatëse;

Parimin e decentralizimit dhe të autonomisë vendore të sanksionuar në nenin 13 të Kushtetutës.

– VKM-ja nr. 377/2020 cenon:

Parimin e shtetit të së drejtës të sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës.

Ndërsa për sa i përket VKB-së nr. 50/2020 nuk u formua shumica prej 5 votash e parashikuar nga neni 73, pika 4, i ligjit nr. 8577/2000, në lidhje me juridiksionin e kësaj Gjykate për shqyrtimin e saj.

Për këto arsye Gjykata Kushtetuese,

VENDOSI:

Pranimin pjesërisht të kërkesës;

  1. Shfuqizimin e ligjit nr. 37/2018 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimi dhe realizimi i projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar””, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
  2. Shfuqizimin e vendimit nr. 377, datë 08.05.2020 të Këshillit të Ministrave “Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin “Teatri Kombëtar”, në zonën kadastrale 8150, Tiranë”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
  3. Rrëzimin e kërkesës për shfuqizimin e vendimit nr. 50, datë 14.05.2020 të Këshillit Bashkiak Tiranë, Bashkia Tiranë, “Për miratimin e shembjes së godinës të “Teatrit Kombëtar”, në pronësi të Bashkisë Tiranë, bazuar në Akt – Ekspertizën e hartuar nga Instituti i Ndërtimit “Mbi vlerësimin e godinës së Teatrit Kombëtar”, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
  4. Pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 37/2018 dhe VKM-së nr. 377/2020 deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Zjarr Tv Ad