Bashkimi familjar në Itali, Aliaj: Projektet e reja për lehtësimin e procedurave

0
26
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të gjithë shqiptarët që janë të interesuar të realizojnë bashkim familjar në Itali, tashmë mund të zgjedhin një rrugë më të lehtë dhe më të shpejtë duke u bërë pjesë e projektit FORMA. Përfitues të këtij projekti janë fëmijët, bashkëshortët dhe prindërit e shtetasve të huaj që kanë aplikuar për bashkim familjar, ku përfshihet edhe vendi ynë. Drejtoresha e patronatit INAS Albania, Beskida Aliaj, në një intervistë për ‘Gazeta Shqiptare’ tregon se “FORMA” është rruga e bashkimit familjar për në Itali. Ajo bën me dije se pjesëmarrja e përfituesve në aktivitetet e propozuara paraqet një mundësi të çmuar për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e dokumenteve dhe procedurave të nevojshme për hyrjen në Itali; e për të fituar aftësi qytetare dhe gjuhësore.

Çfarë është projekti FORMA dhe cili është synimi kryesor i tij?
Projekti FORMA financohet nga “Fondi për Azilin, Migracionin dhe Integrimin”, nëpërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale. Për zbatimin e këtij projekti janë angazhuar 4 patronatot CePa (INCA, INAS, ITAL dhe Patronato ACLI), me INCA CGIL si partner kryesor dhe me partneritetin e SHOQATËS GJENERATA E RE ITALO-KINEZE, ANOLF, UNIRAMA S.A.S. dhe Shkollës Ndërkombëtare të Gjuhës. Projekti synon të kualifikojë dhe të lehtësojë rrugën e bashkimit familjar për fëmijët, bashkëshortët dhe prindërit e shtetasve që kanë aplikuar për këtë procedurë.

Mund të na përmendni disa prej shërbimeve që ofron projekti?
FORMA vë në dispozicion të përfituesve një sistem shërbimesh duke i kushtuar një vëmendje të veçantë çështjeve të tilla si: njohja e gjuhës italiane; njohja e kulturës qytetare; studimit të trashëgimisë kulturore dhe vlerave të Italisë. Është parashikuar orientimi fillestar për të vlerësuar kompetencat, aftësitë dhe qëndrimet e përgjithshme të subjekteve të përfshira; asistencë në menaxhimin e dokumentacionit në lidhje me procedurat e hyrjes; trajnimi i gjuhës; edukimi qytetar-kulturor; organizimi i laboratorëve dhe seminareve për studim më të thellë të temave të trajtuara; si edhe akses në një platformë online informacioni dhe trajnimi në distancë, i cili lejon përmirësimin e përdorimit dhe përshtatjen e përmbajtjes së propozuar.

A ofrohet mbështetje individuale nga ana juaj për individët që dëshirojnë të bëjnë bashkim familjar në Itali?
Bazuar në nevojat e përfituesve, është parashikuar edhe mbështetje individuale, si për shembull ofrimi i shërbimeve të lartpërmendura në shtëpi. Në Shqipëri janë dy patronatot që po kujdesen për zbatimin e aktiviteteve të veçanta dhe realizimin e projektit në tërësi; bëhet fjalë specifikisht për Patronato ACLI dhe Patronato INAS. Projekti FORMA parashikon mbështetje për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, në pritje apo të pajisur me një “Nulla Osta” nga autoritetet përkatëse në Itali, të cilët duhet të paraqesin një kërkesë për vizë për bashkim familjar pranë autoriteteve konsullore italiane, qoftë në Tiranë apo në Vlorë, sipas përkatësisë gjeografike.

Por pse të interesuarit duhet të përfshihen pikërisht në projektin FORMA për të realizuar bashkim familjar?
Pjesëmarrja në projektin FORMA lejon të vendosësh kursin e bashkimit familjar në një kontekst bashkëpunimi të rëndësishëm midis institucioneve italiane, që përfshin: Ministrinë e Brendshme, për kompetencat e saj në fushën e emigracionit; Ministrinë e Punës dhe Politikave Sociale, Drejtorinë e Përgjithshme për Imigracionin dhe Politikat e Integrimit; Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar, nëpërmjet Përfaqësive Diplomatike dhe Konsullore të të gjitha vendeve të përfshira. Pjesëmarrja e përfituesve në aktivitetet e propozuara paraqet një mundësi të çmuar: për të marrë ndihmë të drejtpërdrejtë në menaxhimin e dokumenteve dhe procedurave të nevojshme për hyrjen në Itali; për të fituar aftësi qytetare, organizuar sipas katër fushave kryesore tematike: kushtetutën italiane; të drejtat e grave dhe familjes; të drejtat e punëtorëve dhe punëtoreve; të drejtat e të miturve dhe aftësi gjuhësore; për të promovuar ato aftësi dhe kompetenca që janë në gjendje të lehtësojnë pajtueshmërinë e angazhimeve të marra me Marrëveshjen e Integrimit pas hyrjes në Itali

Si realizohet mësimi i gjuhës italiane nëpërmjet këtij projekti?
Mësimi i gjuhës italiane realizohet duke ndjekur një kurs të strukturuar, i zhvillohet përmes një aplikacioni funksional shumëgjuhësh ku përmbajtja e propozuar do të përshtatet në bazë të gjuhës mëmë të përdoruesit. Kjo gjë do të bëjë të mundur arritjen progresive të nivelit A1 dhe A2, në përputhje me dispozitat e Kornizës së përbashkët Evropiane e referencës për gjuhët (CEFR).

Çfarë duhet të bëjnë familjarët që i bashkohen aplikantit?
Ata duhet të marrin pjesë në mënyrë aktive në shërbimet dhe iniciativat e planifikuara; si dhe të përdorin platformën e mësimit në distancë që do të vihet në dispozicion për përvetësimin e aftësive qytetare-gjuhësore.

Sa i vlefshëm ka rezultuar ky projekt për bashkimet familjare në Itali?

U bë një vit tashmë nga takimet e para me përfituesit e këtij projekti dhe të dyja zyrat që po punojnë për realizmin e tij ndajnë të njëjtin mendim: një rrugëtim plot sfida që na ka lejuar të dyja palëve të ndajmë përvoja njerëzore dhe të jemi pjesë e pengesave dhe kapërcimeve të situatave nga më të ndryshme. Kemi takuar grupmosha të ndryshme dhe realizuar bashkime familjesh, duke përvetësuar përvoja që jemi të gatshëm t’ua vëmë në dispozicion të gjithë të interesuarve për këtë praktikë, duke ruajtur si gjithmonë mënyrën tonë të të punuarit me shërbime “falas”. Të gjithë të interesuarit mund të paraqiten pranë patronatit INAS ALBANIA apo PATRONATO ACLI TIRANA dhe të flasin me mua personalisht apo me Alma Beqiri-n. Ata mund të na shkruajnë edhe në adresat e emailit [email protected] dhe [email protected], apo të na kontaktojnë në numrat 00355/675383700 dhe 00355/683448188.

Kategoritë përfituese:

1.bashkëshortë jo të ndarë ligjërisht, me moshë jo më pak se 18 vjeç;
2.fëmijë të mitur, qoftë edhe të bashkëshortit apo të lindur jashtë martese, të pamartuar me kusht që prindi tjetër, nëse ekziston, të ketë dhënë pëlqimin e tij.
3.fëmijë në moshë madhore në ngarkim, në rast se për arsye objektive nuk janë në gjendje të kujdesen për nevojat e tyre të jetesës për shkak të gjendjes shëndetësore që përbën invaliditet të plotë;
4.prindër në ngarkim, në rast se nuk kanë fëmije të tjerë në Vendin e origjinës apo prejardhjes;
5.prindër mbi 65 vjeç që nuk kanë fëmijë të tjerë në Vendin e origjinës apo prejardhjes (ose kur fëmijët e tjerë nuk kanë mundësi të kujdesen për ta për arsye të rënda shëndetësore të dokumentuara).
Aktivitetet dhe shërbimet e ofruara nga projekti FORMA përfshijnë:
†vënien në dispozicion të hapësirave dhe materialeve të informacionit, duke iu referuar veçanërisht procedurave të aplikimit për vizë, të legjislacionit të përgjithshëm në fushën e të drejtave sociale dhe vlerave që udhëzojnë sjelljet në vendin tone;
†shërbimet e informacionit, asistencë, orientim dhe trajnim përpara nisjes siç janë më poshtë:
†orientimi fillestar për të vlerësuar kompetencat, aftësitë dhe qëndrimet e përgjithshme të subjekteve të përfshira;
†asistencë në menaxhimin e dokumentacionit në lidhje me procedurat e hyrjes;
†trajnimi i gjuhës;
†edukimi qytetar-kulturor;
†organizimi i laboratorëve dhe seminareve për studim më të thellë të temave të trajtuara.
†akses në një platformë online informacioni dhe trajnimi në distancë, i cili lejon përmirësimin e përdorimit dhe përshtatjen e përmbajtjes së propozuar.

Zjarr Tv Ad