Analisti Baton Haxhiu, ishte i ftuar në emisionin ‘Java në RTSH’, ku diskutoi rreth qeverisjes së re të kryeministrit Rama dhe zhvillimeve që pritet të ndodhin në Shtator.
Ai u shpreh se Rama do ta ketë shumë të vështirë këtë mandat të tretë, ndryshe nga dy mandatet e tjerë.
“Në PS, po flitet për mandatin e katërt akoma pa filluar mandati i tretë. Edi Rama duhet të përcaktojë për këtë mandat se me kë duhet ta vazhdojë. Nëse synohet mandati i katërt Edi Rama duhet të ketë shumë kujdes pasi i duhet një mandat politik me njerëz politik të cilët janë të Partisë Socialiste, pasi mendoj se njerëzit e PS vështirë që mund ta durojnë edhe një mandat të tretë me emra të rinj,” – u shpreh Haxhiu.
Më tej, ai theksoi se mandati i tretë është shumë më i vështirë se dy të tjerat për kryeministrin Rama dhe sipas tij, gabimet e vogla në 8 vite, do të sheshohen së shpejti.
Nga ana tjetër, analisti Haxhiu u shpreh se Berisha nuk e kupton se dënimi publik ndaj tij, nuk është mesazh për të por për dikë tjetër dhe nëse Berisha nuk e kupton këtë atëherë ai kot ka qëndruar në politikë gjithë këto kohë.
Haxhiu shtoi se ish-kryeministri i ka mëkatet shumë ndryshe nga të tjerët.