Analisti Baton Haxhiu shprehet se takimet e Kurtit dhe Vuçiçit në Berlin nuk kanë sjellë asnjë rezultat.
Sipas tij, takimi ishte për të ndihmuar të dërguarin special të BE për dialogun, Miroslav Lajçak pasi nuk ka “më fuqi për t’i ftuar në Bruksel”. Ai u tregu kritik për deklarimin e Kurtit, që e cilësoi ‘Open Balkan’, iniciativë paralele me Procesin e Berlinit dhe se ka marrë kah të lindjes.
“Ai thotë se vendet që janë në Open Balkan qenkan me Rusinë dhe Lindjen. Kush është ky? A lexon ai, a shikon kur flet? Del e flet kot, që as fjalët e bukura, nuk i kanë më kuptim”, tha Haxhiu.
Baton Haxhiu tha se ka rezerva edhe për fjalët e mira të kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Sipas tij, pa Francën, Britaninë dhe sidomos SHBA, njohja reciproke Kosovë-Serbi nuk realizohet.
“Jam skeptik për Gjermaninë dhe sidomos tek ky kancelar. Socialdemokratët janë gjithmonë të padobishëm për politika të jashtme”, tha Haxhiu. Ai tha se Procesi i Berlinit është vetëm fasadë dhe gjithashtu Lajçak është i padobishëm për dialogun.