Banka Botërore vlerëson se pasiguria politike në vend dëmton biznesin në Shqipëri. Gjatë prezantimit të raportit ekonomik rajonal, ekonomistja pranë BB në Tiranë Hilda Shijaku theksoi se kriza politike ka bërë që investuesit të tremben.
“Kriza politike ka bërë që investitorët të tremben. Pasiguria politike ka dëmtuar biznesin në vend. Sa më pak kriza të ketë politika e një vendi, më shumë investime ka gjasa të ketë, të brendshme dhe nga jashtë”, deklaroi Shijaku.
Ajo shtoi se ka rritje ekonomike në vend dhe janë rritur investimet e brendshme.
“Ka një rritje ekonomike në vitet e fundit. Janë rritur investimet e brendshme. Ndërkohë, investimet e huaja vazhdojnë të zënë peshë të rëndësishme në ekonominë e vendit”, tha më tej Shijaku.
Ajo tha se duhen të shpejtohen reformat strukturore. Hilda Shijaku vlerësoi se në sektorin bujqësor lulëzon informaliteti, e se kjo gjë duhet zhdukur.
Sot në Tiranë u prezantua Raporti rajonal ekonomik për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas raportit, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mbi 4 përqind në 2018. Zhbalancat e jashtme dhe fiskale janë përmirësuar, janë shtuar vendet e punës dhe borxhi publik është ulur. Megjithatë, kërkohet një ritëm më i shpejtë reformash strukturore për të ruajtur konsolidimin fiskal, zbutur rreziqet fiskale dhe përshpejtuar reformat në sektorin e energjisë për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale. Përmirësimi i klimës së biznesit dhe zbatimit të ligjit mbeten prioritete te ndjekura nga rritja e investimeve në infrastrukturë dhe kapitalin njerëzor.