BE: Marrëveshja Brexit, e mundur

0
6

Brukseli dhe Londra kanë afruar qëndrimet dhe tani janë optimiste se mund të arrijnë një marrëveshje të pranuar divorci më 31 tetor. Dyshimet ekzistojnë akoma për çështjen e kufijve doganorë me Irlandën, dhe pritet të shihen nëse do mund të sheshohen deri në samitin vendimtar që nis të enjten në Bruksel.

Liderët europianë dhe ata britanikë nuk e përjashtojnë një kompromis të minutës së fundit për Brexit.

Mishel Barnie, kryenegociatori i BE-së, deklaroi të martën se pala europiane është optimiste.

“Edhe nëse marrëveshja do të jetë e vështirë, dhe për të qenë i hapur gjithnjë e më e vështirë, ne sërish mendojmë se ajo është e mundur,” u shpreh Barnier para takimit me ministrat e jashtëm europianë në Luksemburg.

Optimizmin e tij e mbështeti edhe ministri britanik për Brexit, Stefën Berklei.

Palëve sërish u duhet të kapërcejnë problematikën e kufijve doganorë që pritet të ngrihen mes provincës së Irlandës Veriore dhe shtetit të Irlandës.

Londra pretendon se kontrollet e mallrave dhe njerëzve mes dy shteteve do jenë minimale, ndërsa për Brukselin, kjo gjë do cenonte integritetin e tregut të përbashkët duke rrezikuar edhe kontrabandën.

Me hapjen e parlamentit një ditë më parë, mbretëresha Elizabeta e Dytë përsëriti zotimin e kryeministrit Boris Xhonson për realizimin e Brexit.

Monarkja 93-vjeçare parashtroi edhe 26 nisma legjislative që do e ndihmojnë vendin të përballet me sfidat e divorcit me BE-në pas 31 tetorit.

Optimizmi për një marrëveshje u reflektua të martën edhe në bursa, ku paundi britanik fitoi pikë ndaj dollarit amerikan dhe monedhave të tjera.