BE: Qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë mund të ndikojë në negociata

0
17
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Komisioni Evropian (KE) ka thënë se pozicioni i Serbisë ndaj agresionit të Rusisë kundër Ukrainës mund të ndikojë në procesin e integrimit evropian të vendit. Kreu i njësisë së Komisionit Evropian për Malin e Zi dhe Serbinë, Michael Miller, vuri në dukje kushtet për përparimin e Serbisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim, duke përfshirë sundimin e ligjit dhe dialogun me Kosovën, por gjithashtu theksoi se çështja e vendosjes së sanksioneve kundër Rusisë, do të merret parasysh.

“Ka pasur një evolucion shumë domethënës në kontekstin gjeopolitik dhe pozicioni i Serbisë ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë do të jetë një element thelbësor për t’u shqyrtuar. Serbia është e vetëdijshme për pritjet e BE-së lidhur me harmonizimin, përfshirë masat kufizuese (kundër Rusisë)”, ka deklaruar Miller në mbledhjen e Komitetit të politikës së jashtme të Parlamentit Evropian, ku u diskutua një projekt-rezolutë për Serbinë.

Edhe raportuesi për Serbinë në Parlamentin Evropian (PE), Vladimir Bilçik, tha se mosvendosja e sanksioneve do të kishte pasoja për Serbinë, ndaj shprehu shpresën se Beogradi zyrtar do të harmonizohet me vendimet e BE-së për Rusinë.

“Shtetet sovrane marrin vendime sovrane, por vendimet sovrane kanë gjithashtu pasoja për partneritetet ndërkombëtare, aleancat dhe integrimin evropian. Shpresoj se vendimet në Serbi, pas zgjedhjeve, do të reflektojnë aspiratat evropiane të Serbisë”, tha Bilçik. Ai paraqiti projekt-rezolutën për Serbinë para komitetit të politikës së jashtme të Parlamentit Evropian. Me këtë rezolutë, PE-ja do t’i kërkojë zyrtarisht Serbisë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Shefja e departamentit për Ballkanin Perëndimor në Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, Elsa Fenet, i vlerësoi pozitivisht vendimet e Serbisë për të votuar në Kombet e Bashkuara, por tha se pavarësisht nga këto vendime të rëndësishme, duhen veprime konkrete.

“Serbia nuk ka harmonizuar ende asnjë nga masat kufizuese që lidhen drejtpërdrejt me sanksionet kundër Federatës Ruse. Kontaktet me Rusinë vazhdojnë në nivelin më të lartë, duke përfshirë disa personalitete kundërthënëse. Serbia mban fluturimet me Rusinë”, ka thënë Elsa Fenet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha në një konferencë për shtyp, më 21 prill, se Serbisë po i krijohen probleme të mëdha dhe ajo po “paguan çmim shumë të lartë”, për faktin se është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur asnjë masë kufizuese kundër Rusisë.

“Ne i respektojmë shumë ata dhe janë tmerrësisht të rëndësishëm për ne, por mos u zemëroni, qytetarët e Serbisë dhe Kuvendi i Serbisë janë shumë më të rëndësishëm për ne”, tha ai.

Serbia është i vetmi vend që po përpiqet të bëhet anëtare e BE-së pa respektuar vendimet e Bashkimit Evropian në lidhje me sanksionet kundër Rusisë. Zyrtarët në Serbi, pavarësisht thirrjeve nga Perëndimi, vazhdojnë të refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Kremlinit.

Serbia ka votuar kundër Rusisë tre herë në Kombet e Bashkuara (OKB), por është shprehur qartë se i mbështetë vetëm vendimet që nuk kanë të bëjnë me sanksionet. Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt duke e quajtur një “mision special ushtarak”. Që nga ajo kohë, Rusia është goditur me sanksione të shumta nga vendet perëndimore./ REL

Zjarr Tv Ad