Midis ShBA-së dhe BE-së mund të ketë filluar një përplasje diplomatike për të ruajtur ndikimin në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos rolin drejtues për arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Mediat raportojnë se Franca dhe Gjermania po koordinohen për të caktuar të një dërguar të posaçëm për rajonin, ashtu siç bëri Uashingtoni me Matthew Palmer-in.
Bashkimi Europian kërkon të ruajë rolin drejtues në Ballkanin Perëndimor dhe sidomos për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë.
Pas emërimit të Matthew Palmer-it si të dërguar të posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, sipas Radios Evropa e Lirë, Gjermania është vënë në krye të përpjekjeve për të caktuar një të dërguar të posaçëm për dialogun.
Prej ditësh mediat kanë raportuar se Franca dhe Gjermania kanë rënë dakord për emërimin e një të dërguari të posaçëm, i cili do të shërbejë edhe si ndërmjetësues i dialogut, por sipas zëdhënëses Maja Kocijančič, deri tani nuk ka një lëvizje konkrete nga Brukseli.
“Bashkimi Europian do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të nxitur integrimin e rajonit dhe Strategjinë e Ballkanit Perëndimor, në bashkëpunim të ngushtë me rajonin, vendet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë. Përveç kësaj ne nuk komentojë mbi raportimet e medieve,” tha Kocijančič, ndërsa kujtoi se Brukseli ka një rrjet të zgjeruar delegacionesh në rajon.
“Gjithashtu Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme Federica Mogherini ka mandat mbi bazën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të lehtësuar dialogun Prishtinë-Beograd”.
Lajmet mbi caktimin e një të dërguari të posaçëm për dialogun dolën pas emërimit të ministrit të Jashtëm spanjoll Josep Borrell si Përfaqësues i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i BE-së dhe dyshimeve mbi aftësinë e tij për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.