Becchetin fiton kundër Shtetit Shqiptar

0
40

Buxheti i shtetit do të duhet që të paguajë 109. 5 milionë euro për detyrime që rrjedhin nga vendime të gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit. Në një dokument që shoqëron raportin për ecurinë e ekonomisë gjatë pjesës së parë të vitit financat kanë pasqyruar edhe pagesën për ‘Vendimet e gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit’. Në tabelën shoqëruese rezulton se nga i gjithë ky fond detyrimesh kontigjente për periudhën janar-qershor 2020 nga institucionet buxhetore është raportuar se nuk janë kryer pagesa për vendime arbitrazhi për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Në mes të 8 pagesave, vlera më e madhe është ajo ndaj ‘Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë’ e Francesco Becchetit. Nga fatura që qeveria shqiptarë do t’i paguajë Becchetit, 99,5 milionë euro janë për shpronësimin dhe 311 mijë euro janë pagesa që qeveria jonë do të japë për shpenzimet administrative të procesit gjyqësor. Bëhet fjalë për gjyqin e humbur në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit për investimet. Rreth një vit më parë qeveria e humbi gjyqin, por kryeministri Rama nuk e pranoi publikisht pagesën e frikshme prej 110 milionë euro që do të duhet të nxirrte nga taksat e qytetarëve për Becchetin. Ky i fundit e hodhi në gjyq qeverinë e Shqipërisë për mbylljen e aktivitetit të hidrocentralit që nuk u arrit të ndërtohej përfundimisht prej dekadash. Ndërhyrja e qeverisë dhe shpeshherë edhe deklaratat publike të ashpra të kryeministrit në ditët e para të marrjes së pushtetit në vitin 2013 ndaj një biznesi ndërkombëtar janë penalizuar nga gjykata ndërkombëtare me 110 milionë euro. Pagesa ë këtij detyrimi në kohë pandemie është akoma më e rëndë si për ata që e shkaktuan, ashtu edhe për qytetarët që do të paguajnë nga taksat e veta. Në raportin e publikuar, Ministria e Financave shpreh shqetësime për këto fatura ndaj buxhetit të shtetit, ndërsa i rekomandon Avokaturës së Shtetit negocimin e mosmarrëveshjeve me kompanitë që kanë paditur shtetin shqiptar.