Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ditën e sotme priti Ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Christiane Hohmann, e cila i dorëzoi zyrtarisht raportin e progresit për Shqipërinë.
Duke vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme, që Komisioni Evropian dhe vendet e BE-së, i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë rrugëtimit në procesin e integrimit, Begaj u shpreh se anëtarësimi i Shqipërisë në BE është dhe mbetet prioriteti strategjik i Shqipërisë dhe objektiv i pandryshueshëm, i mbështetur gjerësisht nga të gjithë faktorët institucionalë, politikë e shoqërorë.
Gjatë takimit, presidenti gjithashtu shprehu vlerësimet për raportin e hartuar nga strukturat e KE për progresin e njohur dhe problematikat e evidentuara në raport.
Më tej Begaj nënvizoi se ky raport duhet të shërbejë si një udhërrëfyes i paanshëm për Kuvendin e Shqipërisë, Qeverinë dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për vijimin e reformave në vend.
Presidenti u bëri thirrje institucioneve shtetërore për përgjegjësi dhe transparencë për përfshirje të gjithë aktorëve institucionalë, politikë e shoqërorë, duke e konsideruar integrimin një objektiv dhe interes parësor kombëtar.