Sergei Shoigu, ministër i Mbrojtjes i Rusisë, është shfaqur në publik, pas disa ditësh spekulimi mbi shëndetin e tij. Shoigu mbajti një takim zyrtar të shtunën, raportoi media shtetërore, ndërsa prej kohësh diskutohej për gjendjen dhe vendndodhjen e tij gjatë pushtimit të Ukrainës.
Agjencia shtetërore e lajmeve Tass tha se Shoigu u takua me Ministrin e Financave të vendit për të diskutuar ruajtjen e furnizimit me armë të avancuara për konfliktin, shkruan CNN.
Përveç kësaj, Shoigu foli për ndryshime ligjore që do të garantonin mbështetjen e qeverisë për trupat ruse që kanë luftuar në Ukrainë, raportoi TASS. “Sipas këtyre ndryshimeve, pjesëmarrësit e operacionit të posaçëm ushtarak në Ukrainë fitojnë statusin e veteranëve të konfliktit”, tha ai.