Përplasje të forta kanë nisur mes “euro-atlantikve”, ku Lulzim Bashës i kanë dalë kundër një pjesë e mirë e grupit të tij, të cilët do të krijojnë partinë “Iniciativa e Demokratëve Euroatlantik” ose shkurtimisht “IDE” dhe nuk do të presin rekursin e tij në Gjykatën e Lartë për vulën e PD-së.
Publikisht kundër Lulzim Bashës ka dalë edhe Roland Bejko, i cili ka konfirmuar se do t’i bashkohet partisë së re, teksa i ftuar në A2 CNN, ka treguar dhe arsyet pse nuk e mbështet më ish-kryedemokratin.
Bejko tha se Lulzim Basha nuk e bën dot liderin, ku mezi del në konferencë, teksa sipas tij, ai nuk bëri as betejë kundër berishizmit apo korrupsionit. Ai tha më tej se kishin mbështetjen amerikane, siglën dhe vulën e partisë, si dhe betejën në zgjedhjet lokale, por të treja i humbën.
“Mbështetjen për zotin Basha e kam pasur me kushte. Kam dashur që të bënte betejë kundër berishizmit dhe kundër korrupsionit dhe kjo ka munguar. Tashmë ka mbaruar kjo mbështetje sepse nuk bëj dot betejë për dikë që nuk dëshiron që të fitojë luftën.
Unë kam kërkuar gjithmonë që PD-ja të ishte parti e djathtë dhe nuk kam qenë shumë miqësor me kryetarët e partisë. Basha mezi dilte të bënte konferenca shtypi, kur i thamë që t’i zinte të premten Berishës, nuk doli më. Ne kishim mbështetjen amerikane, kishim siglën dhe vulën e partisë, si dhe kishim hyrë në betejë në zgjedhjet lokale. Të treja këto ne i humbëm dhe kur pashë këtë gjë, vendosa të largohem.
Isha për të krijuar një parti të re, me logo të re, me emër të ri dhe të bëhen zgjedhjet nga e para për partinë. Me qëllim që të mos bëjmë parti kryetari. Inkurajoj krijimin e një lëvizjeje politike dhe do të jem zë i fortë për të mbrojtur vlerat e djathta. Lulzim Basha nuk është “non grata”, mund të ketë defekte në lidership, por nuk është Sali Berisha”, tha Bejko.