Sulltan Novruzi është një festë e veçantë për besimtarët bektashinj, që simbolizon ardhjen e pranverës dhe rigjallërimin e natyrës dhe shpirtit. Me këtë rast, Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve, për çdo vit hap dyert për të pritur në një aktivitet të madh festiv qindra besimtarë.
Që në orët e para të mëngjesit, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Edmond Brahimaj, del para hyrjes së Selisë së Shenjtë për të pritur e bekuar çdo besimtar, një ritual ky tepër i rëndësishëm për ta. Pas koncerit të madh me këngë e valle nga treva të ndryshme, Kryegjyshi zhvillon pritjet zyrtare me drejtues të lartë të vendit. Si gjithmonë festat i bëjnë bashkë politikanët, të cilët nga vendet e shenjta përcjellin edhe mesazhet për një Shqipëri më të mirë, paqe dhe dashuri mes njerëzve.
Festa e Sulltan Novruzit përkon me lindjen e Abaz Aliut. Ndezja e qirinjve, falja në tyrbe, janë dy ritet më të veçanta për besimtarët. Një vëmendje e veçantë në festat e bektashinjve janë edhe gatimet, një traditë e ruajtur prej brezash. Madje, dikur festa e Sulltan Novruzit, që simbolizon ardhjen e pranverës pritej me shumë hare në çdo shtëpi. Themeluesi i besimit bektashi është Haxhi Bektash Veliu, cili themeloi të parën teqe në botë, në vitin 1282, e cila mori famë dhe u njohë në gjithë botën, sot quhet qyteti Nevshehirit, Haxhi Bektash.