Gazetari, botuesi, politikani dhe publicisti i njohur Ben Blushi është shpallur fituesi i çmimit “Lumo Skëndo”, shkruan newsbomb.al. Libri i tij i ri “41 sekrete” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2022.
E pranishme në aktivitetin e zhvilluar në Tiranë ka qenë dhe autorja e librit tashmë me famë ndërkombëtare “Të Lirë”, autorja shqiptare Lea Ypi. Ajo i ka kaluar Blushit “stafetën” e çmimit që vlerëson sa mprehtësinë e mendimit aq edhe bukurinë e gjuhës.
Në finale kanë shkuar dhe autorët e tjerë Aleksandër Çipa, Eleni Laperi, Evarist Beqiri e Mero Baze, me veprat e tyre, shkruan newsbomb.al.
Libri i Ben Blushit nuk është roman apo novelë, as ese e album fotografik, por një libër me sekrete, me 41 njerëz që secili ka nga një sekret dhe jetët e tyre janë pjesë e pandarë e historisë së Shqipërisë në 100 vitet e fundit.
Juria e përbërë nga Belina Budini, Uran Butka, Teuta Toska, Ardit Bido dhe Monika Stafa ka vlerësuar lart botuesin Ben Blushi dhe librin e tij, duke i dhënë rrjedhimisht dhe çmimin e parë “Lumo Skëndo”. E pranishme në këtë aktivitet ka qenë dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti.